Bashkëpiloti i një avioni të Flydubai që po fluturonte nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Izraelit, u përpoq të merrte kontrollin e avionit pasi sulmoi kapitenin me një sëpatë.
Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe e kanë cilësuar ngjarjen si një tentativë për sulm terrorist.
Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Emirateve, Hamad Saif Al Shamsi, bashkëpiloti hyri në kabinën e pilotëve dhe sulmoi kapitenin me një sëpatë që mbahet në avion për raste emergjencash.
Situata u ndalua pasi pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit ndërhynë. Një pilot rezervë i Flydubai, i cili ndodhej në avion, arriti ta ulte avionin në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite.
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ishte parandaluar një sulm terrorist.
“Heronj parandaluan një katastrofë të tipit 9/11. Sulmuesi iu nënshtrua radikalizimit islamist. Ai kishte ndërmend të rrëzonte aeroplanin me të gjithë pasagjerët në bord. Po hetojmë nëse ai është dërguar dhe kushdo që e ka dërguar do të paguajë një çmim shumë të lartë”, tha Netanyahu.
Bashkëpiloti u arrestua nga autoritetet saudite dhe më pas u transferua në Abu Dhabi.
Hetimi po drejtohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritet të marrin pjesë edhe hetues nga Izraeli. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë motivin e bashkëpilotit dhe nëse ai ka vepruar i vetëm apo ka pasur persona të tjerë pas tij.



