Gisele Bündchen është fotografuar në Nju Jork së bashku me vajzën e saj 13-vjeçare, Vivian, dhe bashkëshortin Joaquim Valente.
Modelja braziliane u shfaq me një veshje të thjeshtë, ndërsa Vivian kishte zgjedhur një stil të ngjashëm me të ëmën. Valente u pa duke biseduar me vajzën e modeles gjatë shëtitjes së tyre familjare.
Dalja e tyre publike vjen pak ditë pas publikimit të biografisë së re për Tom Brady, “Brady: An American Story and the Price of Greatness”, shkruar nga gazetari Lars Anderson. Libri trajton jetën dhe karrierën e ish-yllit të NFL-së, si dhe periudhën e fundit të martesës së tij me Bündchen.
Bündchen dhe Brady ishin të martuar për 13 vjet dhe finalizuan divorcin në tetor 2022. Ata kanë dy fëmijë së bashku, Benjamin dhe Vivian. Brady ka gjithashtu djalin Jack nga lidhja e mëparshme me aktoren Bridget Moynahan.
Biografia përfshin pretendime të reja rreth vështirësive në martesën e çiftit dhe ndikimit që pati karriera e Brady në marrëdhënien e tyre. Sipas librit, Bündchen kishte shpresuar që ai të tërhiqej nga futbolli, ndërsa rikthimi i tij në NFL në vitin 2022 u bë një prej pikave të tensionit mes tyre.
Pas divorcit, Bündchen nisi një lidhje me instruktorin e jiu-jitsu-së, Joaquim Valente. Çifti u martua në dhjetor 2025 dhe kanë edhe një djalë së bashku, emri i të cilit nuk është bërë publik.
Ndërkohë, një burim pranë modeles i tha PEOPLE se ajo nuk mban mëri ndaj ish-bashkëshortit dhe ndihet mirënjohëse për vitet që kaluan së bashku dhe për dy fëmijët që kanë.



