Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, njoftoi se nga sot, në orën 12:00, është hapur sistemi për aplikim elektronik në Konkurset Vjetore për financimin e projekteve me interes nacional në fusha dhe aktivitete të veçanta të kulturës për vitin 2027.
Sistemi për aplikim elektronik do të jetë i hapur deri më 30 tetor 2026, në orën 15:30.
“Kulturën e shohim si një investim strategjik në potencialin krijues dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë. Me konkurset për vitin 2027, vazhdojmë me rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, por edhe me një qëllim të përcaktuar qartë – të mbështesim projektet që kanë cilësi, vizion dhe potencial për të krijuar vlerë afatgjatë. Presim projekte profesionale dhe të menduara mirë nga artistët, shoqatat dhe organizatat tona kulturore”, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sulejmani.
Ai informoi se në fokus do të jenë projektet me potencial për të kontribuar në zhvillimin afatgjatë të kulturës përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar dhe tërheqjes së publikut të ri.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe projekteve që do të realizohen në zonat kufitare, me qëllim që përmbajtjet kulturore të jenë të qasshme në mjedise të ndryshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve lokale.
“Politika jonë është gjithëpërfshirëse, por edhe e përgjegjshme: i mbështesim të gjithë ata që krijojnë vlerë, duke insistuar njëkohësisht në profesionalizëm, përgjegjësi dhe kontribut të matshëm. Shteti qëndron fuqishëm pas artistëve, institucioneve dhe punonjësve të tij të kulturës”, tha ministri Sulejmani.
Ai shtoi se përmes këtyre konkurseve, si dhe investimeve kapitale që po realizohen paralelisht, krijohen kushte për një kulturë të qëndrueshme, të dukshme dhe me vetëbesim.
Sa i përket mënyrës së aplikimit dhe kritereve, ministri theksoi se për vitin 2027 ruhet kursi i vendosur reformues, duke u ofruar aplikuesve rregulla të qarta, të qëndrueshme dhe tashmë të njohura.
Ruhet pragu minimal prej 40 pikësh nga gjithsej 100 për përfitimin e mbështetjes financiare, ndërsa vlerësimi bëhet sipas një sistemi të unifikuar pikëzimi: deri në 70 pikë për cilësinë e përmbajtjes, deri në 15 pikë për burimet njerëzore dhe deri në 15 pikë për arsyeshmërinë financiare.
Ministri Sulejmani i ftoi artistët, shoqatat, organizatat e pavarura kulturore dhe të gjithë aplikuesit e interesuar që t’i shqyrtojnë kushtet e konkurseve dhe t’i dorëzojnë projektet e tyre në kohë.
Aplikimi për të gjitha fushat bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike përmes Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike – uslugi.gov.mk. Aplikimet në formë të shtypur ose përmes postës nuk do të shqyrtohen.
Konkurset Vjetore për vitin 2027 janë publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

