Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Arbnora Zogiani, kanë mbajtur sot konferencë për media, një ditë para protestës masive “JO NË EMRIN TIM”, e cila do të mbahet më 1 tetor në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në konferencë, ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, përmes së cilës synohet kundërshtimi i aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tasholli e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se ai nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.
“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, tha ai.
Ai ka deklaruar se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, por sipas tij, nuk duhet të jetë selektive dhe as të shkëputet nga ajo që e cilësoi si e vërtetë historike.
Tasholli ka theksuar se reagimet qytetare ndaj aktgjykimit tashmë kanë tejkaluar kufijtë e Kosovës, duke përmendur protestat dhe mobilizimin e shqiptarëve në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.
Duke iu referuar protestës studentore të 1 tetorit 1997, ai ka thënë se 29 vjet më pas, qytetarët do të mblidhen sërish në Prishtinë për të kërkuar drejtësi.
Në konferencë, Tasholli ka kërkuar edhe veprim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Kuvendi për shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave”, deklaroi Tasholli.
“UÇK-ja na bashkon! Nga studentët e vitit 1997 deri te qytetarët e sotëm, një gjë nuk ka ndryshuar: ne nuk e harrojmë lirinë, nuk e harrojmë sakrificën dhe nuk heqim dorë nga drejtësia”, shtoi ai.
Ndërkaq, Arbnora Zogiani u ka bërë thirrje qytetarëve që protestës t’i bashkohen së bashku me familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre. Ajo ka njoftuar se transporti për pjesëmarrësit do të organizohet nga të gjitha qytetet e Kosovës, ndërsa oraret dhe vendet e nisjes tashmë janë bërë publike.
Zogiani ka falënderuar mediat për përcjelljen e aktiviteteve të platformës dhe për hapësirën që i kanë dhënë zërit qytetar. Ajo ka veçuar edhe rolin e diasporës në mobilizimin kundër aktgjykimit.
“Diaspora jonë edhe një herë po dëshmon se largësia gjeografike nuk do të thotë largësi nga Kosova”, tha ajo, duke vlerësuar protestat, tubimet dhe aktivitetet e organizuara nga bashkatdhetarët në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës.
Në këtë kuadër, Zogiani ka njoftuar se më 10 tetor në Bruksel do të mbahet protesta e radhës, e organizuar nga diaspora shqiptare, ndërsa ka ftuar bashkatdhetarët që të marrin pjesë.
Platforma qytetare “Liria Ka Emër” u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 1 tetorit, me qëllim të shprehjes së kundërshtimit ndaj aktgjykimit dhe kërkesës për veprime konkrete institucionale në mbrojtje të çlirimtarëve.


