Djegia e makinerive që po përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë ka shkaktuar reagimin e kryetarit të komunës, Daut Beqiri.
Beqiri e ka dënuar incidentin, duke e cilësuar si një goditje ndaj një projekti që, sipas tij, është i rëndësishëm për sportin, rininë dhe zhvillimin e Haraçinës.
“Djegia e makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës është një goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të Haraçinës”, ka deklaruar Beqiri.
Ai tha se rasti është duke u hetuar nga organet e rendit dhe kërkoi që autorët të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë.
“Organet e rendit po hetojnë rastin dhe bëjmë thirrje që rasti të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, u shpreh ai.
Megjithatë, kryetari i Haraçinës tha se incidenti nuk do të ndikojë në vazhdimin e projektit.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë: nuk na ndal askush. Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet”, tha Beqiri.
Sipas tij, Haraçina ka pritur për dekada për realizimin e këtij projekti dhe nuk do të tërhiqet përballë pengesave.
“Haraçina ka pritur 50 vite për këtë ditë. Nuk do të kthehemi prapa”, deklaroi ai.
Beqiri tha se incidenti nuk duhet ta ndalë zhvillimin e komunës, duke dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që, sipas tij, synojnë ta pengojnë projektin.
“Ata që duan ta ndalin zhvillimin, le ta dinë një gjë: Haraçina ka zgjedhur të ecë përpara”, tha ai.
Duke iu referuar djegies së makinerive, Beqiri shtoi se dëmi material nuk mund të ndalë vullnetin për realizimin e projektit.
“Sot mund të digjen makineri. Por nuk digjet vullneti për të ndërtuar”, u shpreh kryetari i Haraçinës.
Në fund, Beqiri tha se nuk do të tërhiqet përballë presioneve apo kërcënimeve dhe se synimi i tij është që stadiumi të përfundojë.
“Dhe një gjë tjetër duhet ta dinë të gjithë: nuk më frikësoni. Nuk ndalem përballë presionit, kërcënimeve apo pengesave. Unë do ta çoj këtë projekt deri në fund. Nuk ndalem derisa fëmijët e Haraçinës të shkelin në fushën e stadiumit të tyre. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet”, deklaroi ai.


