Belgjika kërkon që reklamat të paralajmërojnë se alkooli është i dëmshëm për shëndetin, Italia kundërshton, shkruan The Economist
Kupa e Botës ishte një moment i favorshëm si për Spanjën, ashtu edhe për shitjet e pijeve alkoolike në vend.
Në ditët e ndeshjeve, fitimet e bareve spanjolle ishin 25-30% më të larta se mesatarja. Por, pavarësisht tarracave me diell dhe birrës, një stuhi po afrohej për industrinë e alkoolit në Spanjë — dhe në Europë. Shitjet e birrës dhe verës kanë rënë prej vitesh.
Tani disa vende duan të ashpërsojnë rregullat për alkoolin.
Në mars, Belgjika njoftoi Komisionin Europian se dëshironte të miratonte ligje që ndalojnë reklamimin e alkoolit për të miturit.
Ajo kërkon gjithashtu që reklamat të përmbajnë një paralajmërim të detyrueshëm më të drejtpërdrejtë, ku të thuhet se “alkooli është i dëmshëm për shëndetin”.
(Paralajmërimi aktual thotë vetëm se “abuzimi me alkoolin dëmton shëndetin”.) Vendet prodhuese të verës, përfshirë Francën, Italinë, Rumaninë dhe Sllovakinë, kanë paraqitur kundërshtime.
Ato argumentojnë se ligjet belge do ta fragmentonin tregun e reklamave dhe do të krijonin barriera për kompanitë e huaja.
Dispozita që po shkakton shqetësimin më të madh është pohimi se alkooli shkakton në mënyrë të pashmangshme dëme.
Prodhuesit e birrës dhe të verës druhen se forca të paqarta të shëndetit publik synojnë t’i bëjnë alkoolit atë që i bënë duhanit: ta stigmatizojnë si të dëmshëm dhe të papranueshëm nga ana shoqërore.
Tensionet shtohen edhe nga dallimet kulturore. Në vendet e ngrohta të Mesdheut, si Italia, Portugalia dhe Franca, pijet alkoolike konsumohen gjatë vakteve ose shijohen ngadalë në tarraca.
Ndërsa vendet e ftohta të asaj që njihet si “brezi i vodkës”, përfshirë vendet baltike dhe nordike, kanë prej kohësh kultura të konsumit të lartë të pijeve të forta alkoolike dhe politika qeveritare që synojnë ta frenojnë atë.
Propozimi
Anëtarë të Parlamentit Europian kanë kërkuar legjislacion në të gjithë kontinentin që do t’i bënte të detyrueshme paralajmërimet shëndetësore dhe listat e përbërësve në shishe.
Por Aurelijus Veryga, eurodeputet lituanez dhe ish-ministër i Shëndetësisë, mendon se ndarjet kulturore e bëjnë të pamundur një marrëveshje për alkoolin të ngjashme me atë për duhanin.
Komisioni Europian ka premtuar prej vitesh rregullim më të fortë të alkoolit, por duket se nuk arrin ta realizojë. Afatet për vendosjen e paralajmërimeve shëndetësore mbi pijet alkoolike, të përcaktuara në planin e tij kundër kancerit të vitit 2021, nuk janë respektuar.
Rreziqet diplomatike të rregullimit të alkoolit janë të qarta. Në vitin 2018, Irlanda u bë vendi i parë anëtar i Bashkimit Europian që kërkoi që shishet të mbanin paralajmërime për rrezikun e kancerit dhe për shtatzëninë, si dhe informacion mbi kaloritë dhe energjinë.
Italia reagoi duke e quajtur këtë një “sulm” ndaj identitetit, trashëgimisë dhe dietës mesdhetare të saj dhe këmbënguli se vera ishte një faktor i mirëqenies.
Ajo mobilizoi edhe vende të tjera prodhuese të verës, përfshirë Francën, Greqinë, Portugalinë dhe Spanjën, që të kundërshtonin gjithashtu.
Megjithatë, kufizimet irlandeze u kthyen në ligj, por më pas Amerika u ankua se rregullat përbënin një barrierë tregtare. Vendosja e etiketave paralajmëruese u shty më pas deri në vitin 2028, për shkak të “rrethanave ekonomike”.
Vendet që duan të rregullojnë më fort alkoolin mund të shohin nga Lituania. Si ministër i Shëndetësisë, Dr Veryga arriti të miratonte kufizime të gjera, përfshirë një ndalim pothuajse të plotë të reklamave dhe kufizimin e orareve të shitjes me pakicë të pijeve alkoolike.
Por ai thotë se kjo u bë e mundur vetëm falë kërkesës së publikut, pas një serie ngjarjesh të rënda, përfshirë një aksident të shkaktuar nga drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, ku tre fëmijë u vranë nga një polic jashtë detyrës.
“Nëse shoqëria nuk është në anën tuaj, ju tashmë keni humbur”, thotë ai, teksa pi një birrë pa alkool.
Në Belgjikë, përpjekjet po udhëhiqen nga Frank Vandenbroucke, ministri i Shëndetësisë, i cili ka hasur vështirësi për të siguruar mbështetje të gjerë politike.
Ai ka mbështetjen e organizatave të shëndetit publik, të shqetësuara nga provat në rritje për dëmet që shkakton alkooli, veçanërisht për rritjen e rrezikut të kancerit.
Rebecka Öberg nga Movendi, një organizatë që promovon një stil jetese pa alkool dhe drogë, thotë se organizata e saj dëshiron që njerëzit të marrin vendime të informuara për konsumin e alkoolit. Kjo kërkon etiketime më të qarta.
Për sa i përket kancerit, teknikisht është e saktë të thuhet se nuk ekziston një “nivel i sigurt” i konsumit të alkoolit. Por mbetet debat se në çfarë pike rreziku bëhet domethënës.
Rreziku shtesë nga pirja e disa gotave verë ose birrë në javë, krahasuar me moskonsumimin fare, mund të jetë aq i ulët sa një paralajmërim se “alkooli është i dëmshëm për shëndetin” të duket joproporcional.
Europianët kryejnë rregullisht edhe sjellje të tjera që mbartin një rrezik kumulativ jo zero për zhvillimin e kancerit, si ekspozimi në diell, ngrënia e proshutës dhe pirja e kafesë të ngrohur në më shumë se 65°C.
Ironia
Ironia e përpjekjeve të zotit Vandenbroucke është se konsumi i alkoolit në Belgjikë po bie gjithsesi.
Mes vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), një grup vendesh kryesisht të pasura, Belgjika është një nga dy vendet ku konsumi ka rënë më shumë në dekadën e fundit.
Tjetra është Lituania, e cila ka shtrënguar së fundmi ligjet e saj. Në fakt, popullsitë e shumicës së vendeve me të ardhura të larta po e moderojnë konsumin e alkoolit, pjesërisht për shkak të shqetësimeve shëndetësore.
Rënia e konsumit të birrës është veçanërisht e fortë: ai është ulur me 9.2% në BE që nga viti 2019.
Por, në terma ekonomikë, çdo krizë është edhe një mundësi. Sot, pothuajse një në çdo 12 birra të konsumuara në BE është pa alkool.
Rritja e birrës 0.0% do të thotë se, pavarësisht se në cilën anë të debatit për alkoolin qëndroni, keni gjithsesi diçka me të cilën mund të ngrini dolli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


