Pas shtatë vitesh, gjashtë sezonesh dhe një prej roleve më të rëndësishme të karrierës së saj, Lily Collins i ka dhënë lamtumirën Emily Cooper.
Aktorja ka përfunduar xhirimet e sezonit të gjashtë të “Emily in Paris”, i cili do të jetë edhe sezoni i fundit i serialit të Netflix. Collins shënoi ditën e saj të fundit në sheshxhirim me një mesazh emocional për personazhin që e ka shoqëruar që prej vitit 2020.
Jam pa fjalë. Është e pamundur të gjej fjalët për atë që ka nënkuptuar për mua ky udhëtim
-shkroi 37-vjeçarja në Instagram, duke ndarë fotografi nga ditët e fundit të xhirimeve.

Collins tregoi se Emily ka qenë pjesë e jetës së saj për shumë vite dhe se, me çdo sezon, personazhi vazhdonte ta surprizonte, frymëzonte dhe sfidonte.
Për kaq shumë vite, Emily ka qenë pjesë e jetës sime dhe, në çdo sezon, ajo ka vazhduar të më surprizojë, të më frymëzojë dhe të më sfidojë
-shkroi aktorja.

Ajo pati gjithashtu një falënderim të veçantë për krijuesin e serialit, Darren Star, i cili i dha jetë personazhit të Emily Cooper, një amerikaneje optimiste që largohet nga Chicago për të ndërtuar një jetë të re në Paris.

Collins tha se ishte mirënjohëse që Star i besoi asaj për ta sjellë Emily-n në ekran dhe për t’i dhënë jetë një personazhi që vazhdimisht gjendej jashtë zonës së saj të rehatisë, duke mësuar t’i besonte vetes dhe njerëzve përreth saj.

Por falënderimet e saj nuk u ndalën te krijuesi i serialit. Lily përmendi ekipin e produksionit, skenaristët, regjisorët dhe aktorët me të cilët ka punuar gjatë gjithë këtyre viteve, duke i cilësuar tashmë si familje.
Ju e bëtë Emily-n Emily. Ju e bëtë këtë botë të ndihej si shtetit
-shkroi ajo.

Dhe më pas erdhi fjalia që preku më shumë fansat.
Do ta mbaj këtë kapitull me vete përgjithmonë. T’i them lamtumirë ndihet krejtësisht surreale dhe e hidhur, por mbi të gjitha ndihem jashtëzakonisht krenare dhe mirënjohëse që pata mundësinë të isha ajo. Dhe të isha pjesë e diçkaje kaq të gëzueshme. Kjo më ka ndryshuar përgjithmonë. Au revoir, Emily Cooper…
“Emily in Paris” debutoi në Netflix në vitin 2020 dhe shumë shpejt u kthye në një prej serialeve më të njohura të platformës. Historia ndjek Emily-n, një drejtuese marketingu nga Chicago, e cila zhvendoset në Paris për një mundësi të re pune dhe përballet me dashurinë, miqësitë, karrierën dhe jetën në një kulturë të re.

Seriali përfundon zyrtarisht me sezonin e gjashtë, ndërsa xhirimet janë zhvilluar në disa vende europiane, përfshirë Greqinë, Monakon dhe Parisin.

Fansat nuk do të duhet të presin shumë për kapitullin e fundit. Sezoni i gjashtë dhe final i “Emily in Paris” do të publikohet në Netflix më 24 dhjetor 2026, duke e kthyer Krishtlindjen e këtij viti në lamtumirën përfundimtare të Emily Cooper.

Pas gjashtë sezonesh, Parisit i duhet të thotë “au revoir” Emily-t. Por për Lily Collins, duket se ky personazh do të mbetet shumë më tepër se një rol televiziv: një kapitull i jetës së saj që, siç e pranon vetë, e ka ndryshuar përgjithmonë.


