Huawei po përballet me një kërkesë që po tejkalon kapacitetet e saj të prodhimit për pajisjet e inteligjencës artificiale në Kinë. Për këtë arsye, kompania po kufizon shitjet jashtë vendit, ndërsa përpiqet të rrisë prodhimin dhe të forcojë pozitat përballë Nvidia-s në tregun e çipave për IA.
“Meqë nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të përmbushur as kërkesën brenda Kinës, nuk kemi në plan të zgjerohemi në mënyrë të gjerë në tregjet ndërkombëtare”, tha Eric Xu, kryetar me rotacion i Huawei, gjatë konferencës Huawei Connect në Shangai, sipas Reuters.
Huawei vijon të furnizojë disa tregje të huaja ku kërkesa është e lartë, por në sasi të kufizuara.
Rritja e kërkesës vjen në një kohë kur Kina po përpiqet të ulë varësinë nga teknologjia amerikane. Kufizimet e vendosura nga SHBA kanë vështirësuar aksesin e kompanive kineze te çipat më të avancuar të Nvidia-s, si edhe te teknologjitë e nevojshme për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Huawei është nën kufizime tregtare amerikane që prej vitit 2019 dhe gjatë viteve të fundit ka rritur ndjeshëm investimet në zhvillimin e teknologjive vendase.
Kompania vlerëson se familja e procesorëve Ascend mund të ketë tashmë një pjesë më të madhe të tregut kinez të çipave për inteligjencën artificiale sesa Nvidia. Megjithatë, Huawei pranon se është e vështirë të sigurohen të dhëna të sakta për pjesët e tregut.
Sipas kompanisë, testimet e procesorit të ri Ascend 950DT kanë dhënë rezultate pozitive. Huawei pret që gjatë vitit të ardhshëm një numër më i madh zhvilluesish kinezë të përdorin sistemet e saj për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Huawei përshpejton planet për çipat e rinj
Kompania po përshpejton edhe zhvillimin e gjeneratave të reja të procesorëve.
Ascend 960DT pritet të jetë gati në tremujorin e parë të vitit 2027, tre tremujorë më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht, ndërsa modeli 960PR është parashikuar për tremujorin e tretë të të njëjtit vit.
Huawei synon të nxjerrë një gjeneratë të re procesorësh Ascend çdo vit, me Ascend 970 të planifikuar për vitin 2028 dhe Ascend 980 për vitin 2029.
Një nga strategjitë kryesore të kompanisë është lidhja e një numri shumë të madh çipash në një sistem të vetëm, për të kompensuar kufizimet e performancës së secilit procesor më vete.
Arkitektura e re Peerium synon që në të ardhmen të mundësojë lidhjen e deri në 1 milion procesorëve të inteligjencës artificiale në të njëjtin sistem.
Huawei ka vënë tashmë në përdorim më shumë se 1,000 sisteme të bazuara në procesorët Ascend 910C. Sipas kompanisë, mbi 5,200 zhvillues punojnë çdo muaj me platformën Ascend dhe më shumë se 40 modele të inteligjencës artificiale janë trajnuar drejtpërdrejt mbi këtë platformë.
Nvidia, megjithatë, vazhdon të ketë një avantazh të rëndësishëm në software, falë platformës CUDA, e cila përdoret gjerësisht nga zhvilluesit e inteligjencës artificiale në mbarë botën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


