Pjeshkat dhe bananet janë të dyja zgjedhje të mira për një dietë të shëndetshme, por secila prej tyre ofron përfitime të ndryshme. Sipas të dhënave ushqyese, pjeshkat përmbajnë më pak karbohidrate, ndërsa bananet janë dukshëm më të pasura me kalium dhe kanë pak më shumë fibra. Një pjeshkë mesatare, me peshë rreth 147 gramë, përmban afërsisht 62 kalori dhe 14.5 gramë karbohidrate. Në krahasim, një banane mesatare prej rreth 115 gramësh përmban rreth 101 kalori dhe 26.4 gramë karbohidrate. Pjeshka ofron rreth 2.2 gramë fibra, ndërsa banana rreth 3.1 gramë.
Pjeshkat mund të jenë zgjedhje më e përshtatshme për sheqerin në gjak
Për personat që synojnë të kufizojnë marrjen e karbohidrateve, pjeshkat mund të kenë një avantazh. Një pjeshkë mesatare përmban rreth 15 gramë karbohidrate, ndërsa një banane rreth 26 gramë. Edhe indeksi glicemik është një faktor që duhet marrë në konsideratë. Pjeshkat e freskëta kanë përgjithësisht indeks të ulët glicemik, megjithëse vlerat mund të ndryshojnë në varësi të varietetit, pjekurisë dhe mënyrës së përgatitjes.
Pjekuria e bananes ndikon në sheqerin që përthithet
Pjekuria është veçanërisht e rëndësishme te bananet. Gjatë procesit të pjekjes, një pjesë e niseshtesë që përmban fruti shndërrohet në sheqerna më të thjeshta, të cilat treten dhe përthithen më lehtë nga organizmi. Bananet e gjelbra dhe më pak të pjekura përmbajnë më shumë niseshte rezistente, e cila tretet më ngadalë. Ndërsa banana piqet dhe bëhet më e butë e më e ëmbël, ndikimi i saj në sheqerin në gjak mund të rritet. Edhe pjeshkat pësojnë ndryshime gjatë pjekjes, por te bananet shndërrimi i niseshtesë në sheqerna është një faktor më i rëndësishëm kur vlerësohet ndikimi i tyre në glicemi.
Bananet janë më të pasura me kalium
Nëse qëllimi është marrja e më shumë kaliumit, banana ka një avantazh të qartë. Një banane mesatare siguron rreth 375–422 miligramë kalium, ndërsa një pjeshkë mesatare rreth 179–285 miligramë, në varësi të madhësisë dhe të dhënave ushqyese të përdorura. Kaliumi është një mineral thelbësor që ndihmon në funksionimin normal të nervave, tkurrjen e muskujve dhe funksionimin e sistemit kardiovaskular. Marrja e mjaftueshme e kaliumit mund të kontribuojë gjithashtu në ruajtjen e një tensioni të shëndetshëm të gjakut, si pjesë e një ushqyerjeje të ekuilibruar. Personat me sëmundje kronike të veshkave ose ata që përdorin medikamente të caktuara duhet të konsultohen me mjekun për sasinë e përshtatshme të kaliumit në dietë.
Me çfarë i kombinoni frutat?
Mënyra se si konsumohet fruti mund të ndikojë gjithashtu në përgjigjen e organizmit ndaj sheqerit. Kombinimi i frutave me ushqime që përmbajnë proteina, yndyra ose fibra mund të ngadalësojë tretjen dhe të zbusë rritjen e sheqerit në gjak pas ushqimit. Për shembull, një banane mund të konsumohet me kos të thjeshtë grek, ndërsa një pjeshkë mund të shoqërohet me një grusht arra. Këto kombinime krijojnë një vakt ose mesvakt më të balancuar sesa konsumimi i frutave së bashku me ushqime të tjera të pasura me karbohidrate.
Për personat që menaxhojnë diabetin, si pjeshkat ashtu edhe bananet mund të përfshihen në një plan ushqimor të shëndetshëm, duke marrë parasysh sasinë totale të karbohidrateve. Në fund, nuk ka një përgjigje të vetme se cili prej dy frutave është “më i mirë”. Pjeshkat mund të jenë më të përshtatshme kur prioritet është marrja më e ulët e karbohidrateve, ndërsa bananet ofrojnë dukshëm më shumë kalium dhe pak më shumë fibra. Për kontrollin e sheqerit në gjak, rëndësi kanë madhësia e porcionit, sasia totale e karbohidrateve, pjekuria e frutit dhe ushqimet me të cilat konsumohet.


