Macklemore është larguar nga pjesa e mbetur e turneut amerikan të Ed Sheeran, pasi deklaratat e tij në mbështetje të Palestinës gjatë koncerteve në New Jersey shkaktuan polemika dhe reagime të forta.
Reperi amerikan, i cili ishte parashikuar të performonte si artist mbështetës në disa prej koncerteve të “Loop Tour”, konfirmoi se nuk do të jetë më pjesë e datave të ardhshme. Promotori i turneut tha se disa prej ambienteve ku do të zhvilloheshin koncertet kishin bërë të ditur se nuk do ta lejonin Macklemore të performonte, duke rrezikuar anulimin e shfaqjeve.
Debati shpërtheu pas dy koncerteve të Macklemore në MetLife Stadium, ku ai foli hapur për situatën në Gaza dhe bëri thirrje për çlirimin e Palestinës.
“Free Palestine”, u shpreh ai nga skena, duke thënë se një prej arsyeve pse kishte pranuar të ishte pjesë e turneut ishte pikërisht mundësia për të përcjellë këtë mesazh para një audience të madhe.
Gjatë performancës së këngës së tij protestuese “Hind’s Hall”, Macklemore shfaqi gjithashtu pamje që lidhen me luftën në Gaza dhe protestat pro-palestineze. Deklaratat shkaktuan reagime nga disa organizata dhe figura publike, ndërsa u kërkua edhe largimi i reperit nga turneu. Sipas Macklemore, presioni erdhi edhe nga drejtues të disa stadiumeve amerikane.
Në një deklaratë të gjatë, ai pretendoi se Robert Kraft, pronari i Gillette Stadium, i kishte thënë Ed Sheeran se Macklemore nuk do të lejohej të performonte në stadium dhe se më pas disa pronarë të tjerë kishin bërë të njëjtën kërkesë.
Promotori i turneut konfirmoi se disa ambiente nuk do të lejonin zhvillimin e koncerteve nëse Macklemore mbetej pjesë e programit, duke argumentuar se kjo mund të ndikonte te qindra mijëra fansa që kishin planifikuar të merrnin pjesë.
Megjithatë, pavarësisht humbjes së mundësisë për të performuar në pjesën tjetër të turneut, Macklemore nuk duket se është penduar për atë që tha.
Në deklaratën e tij, ai theksoi se nuk kishte nevojë për të gjitha koncertet e planifikuara.
Nuk më duheshin 10 shfaqje nga Ed. Më duheshin 2. Dy mundësi për të qëndruar përballë 90 mijë njerëzve dhe për të thënë fjalët që disi u bënë tepër të rrezikshme për t’u thënë. Free Palestine.
Më pas, ai bëri deklaratën që ka tërhequr më shumë vëmendje:
Por nëse ato fjalë më kushtuan skenën, ndërsa e rikthyen bisedën te Palestina, atëherë ky ishte turneu më i suksesshëm që kam bërë ndonjëherë.
Macklemore u përpoq gjithashtu të ndajë kritikat ndaj qeverisë së Izraelit nga qëndrimi ndaj hebrenjve, duke iu drejtuar drejtpërdrejt anëtarëve hebrenj të publikut gjatë një prej koncerteve.
Kritika ndaj Izraelit, kritika ndaj aparteidit, të qenit kundër gjenocidit në asnjë mënyrë nuk është kritikë ndaj jush. Mesazhi im është për paqe, dashuri; që të gjithë njerëzit të trajtohen me dinjitet, respekt dhe barazi.
Nga ana tjetër, kritikat ndaj reperit kanë ardhur nga disa organizata dhe persona publikë, të cilët e kanë akuzuar se po përdorte skenën e një koncerti për të përcjellë një mesazh politik. Këngëtarja Pink reagoi gjithashtu ndaj polemikës, duke thënë se deklaratat e Macklemore e kishin shqetësuar atë dhe njerëzit e saj të afërt.
Ndërkohë, Macklemore ka bërë të qartë se largimi nga turneu nuk do ta ndryshojë qëndrimin e tij.
Për të, humbja e skenës së Ed Sheeran nuk është pika kryesore e historisë. Ajo që ka rëndësi, sipas tij, është se mesazhi për Palestinën arriti te një audiencë prej dhjetëra mijëra njerëzish.
“Free Palestine”, ishte mesazhi me të cilin Macklemore zgjodhi të mbyllte deklaratën e tij, duke e kthyer largimin nga turneu në një tjetër kapitull të aktivizmit të tij publik për çështjen palestineze.


