Pas pesë dekadash, “engjëjt” u rikthyen sërish në skenë, dhe emocionet nuk munguan.
Kate Jackson, Jaclyn Smith dhe Cheryl Ladd u ribashkuan në ceremoninë e Emmy 2026, për të festuar 50-vjetorin e serialit legjendar “Charlie’s Angels”. Tre aktoret u pritën me duartrokitje të fuqishme teksa dolën në skenën e Peacock Theater në Los Angeles për të prezantuar çmimin për serialin më të mirë dramatik.

Të treja u shfaqën elegante dhe në formë, duke rikthyer për pak çaste atmosferën e serialit që u bë një fenomen televiziv në vitet ’70.
“Charlie’s Angels” debutoi në vitin 1976 dhe u transmetua deri në vitin 1981. Në kastin fillestar ishin Jaclyn Smith, Kate Jackson dhe Farrah Fawcett, ndërsa Cheryl Ladd iu bashkua serialit në sezonin e dytë, pas largimit të Fawcett.

Ribashkimi në Emmy kishte edhe një dimension emocional. Aktoret nuk harruan kolegen e tyre të ndjerë, Farrah Fawcett, e cila ndërroi jetë në vitin 2009 pas një beteje me kancerin.
Ishte Jaclyn Smith ajo që e përmendi fillimisht Fawcett, duke thënë se dëshironte të nderonte “një person që nuk është këtu me ne sonte.
Ajo vijoi me një nga momentet më prekëse të mbrëmjes:
Siç kam thënë shumë herë, karizma nuk ka nevojë për një sezon të dytë. Ajo është këtu dhe është me ne në kujtesën kolektive të të gjithëve.
Kate Jackson e quajti Fawcett “engjëllin më të ndritshëm nga të gjithë”, duke kujtuar se ajo ishte dashur nga miliona njerëz në mbarë botën dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot.
Nuk do ta harrojnë kurrë, dhe as ne nuk do ta harrojmë
-tha Jackson.

Cheryl Ladd, ndërkohë, solli një dozë humori në momentin emocional, duke iu referuar posterit ikonik të Fawcett me kostumin e kuq të banjës, i cili u bë një prej imazheve më të famshme të kulturës pop të viteve ’70.
Pas këtij momenti nostalgjik, tre aktoret prezantuan çmimin Outstanding Drama Series, i cili iu dha “The Pitt”.
Rikthimi i tyre ishte veçanërisht domethënës pasi “Charlie’s Angels” konsiderohet një prej serialeve që ndryshuan mënyrën se si gratë paraqiteshin në televizionin amerikan. Tre protagoniste femra ishin në qendër të aksionit, duke ndjekur kriminelë dhe duke përballuar rrezikun, në vend që të prisnin të shpëtoheshin.
Jaclyn Smith e ka përshkruar ndikimin e serialit si një moment kur gratë u panë si “të pavarura, jo të përcaktuara nga burri në jetën e tyre”.
Edhe pse kanë kaluar 50 vite nga premiera, “Charlie’s Angels” vazhdon të ketë një vend të veçantë në kulturën pop. Seriali u nominua katër herë për Emmy dhe frymëzoi më vonë filmat “Charlie’s Angels” të vitit 2000, “Charlie’s Angels: Full Throttle” në 2003 dhe reboot-in e vitit 2019.
Për fansat, megjithatë, ajo që ndodhi në Emmy ishte më shumë se një prezantim çmimi.
Ishte një rikthim pas gjysmë shekulli i tre grave që ndihmuan në krijimin e një prej serialeve më ikonike të televizionit, dhe një kujtesë e bukur se, edhe pse një pjesë e “engjëjve” mungonte në skenë, kujtesa për Farrah Fawcett vazhdon të jetë po aq e gjallë sa 50 vite më parë.


