Vetëvendosje, pas mbledhjes së kryesisë, ka bërë të ditur se kanë marrë vendim që nesër në seancën konstituive të Kuvendit, të votojnë kandidatët e PDK’së dhe LDK’së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, për nënkryetarë të Kuvendit.
Në reagimin thuhet edhe se, VV’ja pret që pas konstituimit të kuvendit, ”ky hap i vullnetit të mirë” të reflektojë edhe për çështjen e presidentit.
Postimi i plote:
Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme.
U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen. Zgjedhjet e parakohshme të përsëritura do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet!
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të votojmë për nënkryetar kuvendi nga radhët e PDK-së dhe LDK-së dikë që nuk e bojkoton zgjedhjen e presidentit e asisoj na dërgon në përsëritje të zgjedhjeve.
Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër.
Në vitin 2025 ne si subjekt fitues me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetë të pakicave i kishim 57 deputetë. Pra vetëm katër deputetë mangu, e duke e zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, plot katër herë e ndryshuam emrin e kandidatit tonë për kryetar kuvendi para se të zgjidhej Dimal Basha me 26 gusht, pesë muaj pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Refuzimi i partive opozitare për Albulena Haxhiun asokohe u pasua edhe me refuzim të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit.
E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne.
Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.
Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK.


