Rubla e fortë po dëmtonte buxhetin, shkruan The Economist
Qeveritë dhe bankat qendrore zakonisht këmbëngulin se duan një monedhë të fortë. Por jo Rusia, të paktën për momentin.
Më 5 gusht, Ministria e Financave njoftoi se do të rriste me rreth 20% blerjet e përditshme të valutave të huaja dhe të arit, nga 5.4 miliardë rubla (69 milionë dollarë në atë kohë) në korrik, në 6.5 miliardë rubla.
Rubla u dobësua siç pritej, nga rreth 80 rubla për dollar në fillim të gushtit në 85 rubla nga mesi i muajit, niveli më i ulët që nga marsi (shih grafikun).
Një monedhë më e fortë nënkupton importe më të lira, inflacion më të ulët dhe më pak presion mbi normat e interesit; një monedhë më e dobët sjell të kundërtën.
Siç e dinë mirë rusët, një rënie e papritur e monedhës mund të shkaktojë panik financiar, siç ndodhi pasi vendi pushtoi Ukrainën në shkurt 2022 dhe vendet perëndimore vendosën sanksione.
Në pak më shumë se dy javë, Rubla humbi dy të pestat e vlerës së saj kundrejt Dollarit. Rusët nxituan të blinin valutë të huaj dhe të tërhiqnin para nga bankat, një pjesë të madhe të të cilave e shpenzuan për mallra konsumi afatgjatë dhe produkte të tjera.
Por së fundmi, një Rubël e fortë është kthyer në problem — veçanërisht për buxhetin federal. Në gjysmën e parë të vitit, kursi mesatar ishte 77 rubla për dollar, ndërsa buxheti ishte hartuar duke supozuar një kurs prej 92 rublash për dollar.
Meqenëse eksportuesit rusë të naftës, të cilët në pjesën më të madhe janë në pronësi të shtetit ose të lidhur në forma të tjera me qeverinë, i sigurojnë të ardhurat në dollarë, këto të ardhura, të konvertuara në rubla, rezultuan më të ulëta nga sa ishte parashikuar. Nafta dhe gazi sigurojnë 20% të të ardhurave buxhetore.
Sigurisht, lufta në Gjirin Persik, duke penguar qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit dhe duke çrregulluar shpërndarjen globale të naftës, i ka shtyrë çmimet e naftës në rritje: në gjysmën e parë të vitit, çmimi mesatar i naftës që qeveria përdori për llogaritjen e taksave ishte 68 dollarë për fuçi, kundrejt 59 dollarëve të parashikuar në buxhet.
Megjithatë, të ardhurat nga nafta dhe gazi, prej 3.7 trilionë rublash, ishin 23% më të ulëta se një vit më parë. Vetëm deficiti i gjysmës së parë të vitit arriti në 5.7 trilionë rubla, ose 2.5% të PBB-së vjetore, kundrejt 3.8 trilionë rublave (1.6%) të parashikuara për të gjithë vitin. Një Rubël që do të mbetej e fortë do ta zgjeronte më tej këtë hendek.
Krahas dobësimit të Rublës, qeveria po kërkon para edhe nga burime të tjera. Parlamenti rus i ka dhënë Ministrisë së Financave të drejtën të rrisë huamarrjen përtej kufirit të përcaktuar me ligj, pa pasur nevojë për miratim të mëtejshëm.
Në një qasje më të pazakontë, qeveria u ka kërkuar biznesmenëve rusë të bëjnë kontribute “vullnetare” në buxhetin federal, përfshirë fonde për të ndihmuar në financimin e luftës kundër Ukrainës.
Kjo nismë doli nga një takim në mars me Vladimir Putin, presidentin e Rusisë, ku u diskutua një taksë mbi fitimet e jashtëzakonshme të realizuara në të kaluarën. Që nga fillimi i vitit, drejtuesit e bizneseve kanë derdhur 384 miliardë rubla.
Një rubël më e dobët mund t’i japë njëfarë lehtësimi afatshkurtër buxhetit të Rusisë, por në afat të gjatë, ajo sjell pasojat e zakonshme negative: inflacion më të lartë, importe më të shtrenjta dhe të ardhura reale më të ulëta për familjet.
Norma e inflacionit është rritur tashmë lehtë, në 6% në qershor. Kjo erdhi pjesërisht si pasojë e mungesës së benzinës, e shkaktuar nga sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës ruse të naftës. Megjithatë, një Rubël më e dobët mund ta shtyjë inflacionin edhe më lart.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.


