Partia Demokratike, dega Vlorë, ka reaguar në lidhje me protestën e sotme të zhvilluar kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik.
Në reagimin e PD-së, dega Vlorë, theksohet se Partia Demokratike nuk ka lidhje me protestën. Sipas PD-së, protesta e sotme është e stisur nga kryeministri Edi Rama.
Deklarata e plotë:
Lidhur me protestën e sotme të një grupi të qytetarëve kundër ndërtimit të Muzeut për Hebrejtë në Vlorë, deklarojmë sa vijon:
Protesta e sotme nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Njëlloj si grisja e flamurit në derën e Ambasadës së Izraelit, ajo është stisur nga vetë Edi Rama dhe është thirrur nga individë që prej vitesh kanë shkëputur çdo lidhje me PD-në dhe flirtojnë me Edi Ramën.
Partia Demokratike e konsideron mbrojtjen nga Holokausti që shqiptarët në tërësi, dhe vlonjatët në rastin konkret, u bënë hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore si një nga trashëgimitë më të çmuara morale të kombit tonë. Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet plotësisht ndërtimin e muzeut për historinë e hebrejve në Vlorë, si dhe këshilltarët e saj kanë votuar për emërtimin e Rrugës së Hebrejve në këtë qytet!
Së fundmi, sqarojmë opinionin se trualli i Muzeut dhe ndërtimi i tij nuk kanë lidhje dhe nuk cenojnë askund ndërtesën historike të Klubit “Labëria”, e cila gëzon mbrojtje të kategorisë së parë. Por Edi Rama, për motive korruptive, kërkon ta tjetërsojë atë në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Ne e dënojmë me forcë këtë ndërhyrje korruptive e antiligjore në këtë objekt të trashëgimisë kulturore të qytetit tonë.


