Prokuroria e Shkupit ka nisur procedurë ndaj 27 personave, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorime gjatë lëshimit të patentë-shoferëve. Mes tyre është edhe një e punësuar në MPB, e cila dyshohet se nga shtatori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2026, duke përdorur kodin dhe autorizimet e saj zyrtare në sistemin elektronik, ka ndryshuar kërkesa të krijuara nga punonjës të tjerë dhe ka futur kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kushtet ligjore. Pas ndryshimeve, kërkesat janë miratuar dhe janë lëshuar patentë-shoferë me përmbajtje të pavërtetë. Sipas policisë, në këtë mënyrë janë dhënë patenta-shoferë për 21 persona me kategori të vëna në mënyrë të paligjshme, ndërsa një rast ka mbetur në tentativë.
“Me këtë veprim të paligjshëm janë dhënë patenta-shoferi për 21 persona me kategori të vëna në mënyrë të paligjshme, ndërsa në një rast veprimi ka mbetur në tentativë. Në tri raste, kërkesat e krijuara më parë janë refuzuar, pas çka janë krijuar kërkesa të reja, në të cilat përsëri janë vënë kategori për të cilat nuk ishin plotësuar kushtet ligjore”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Në rast dyshohet se kanë ndërmjetësuar edhe katër persona, të cilët kanë gjetur të interesuarit, i kanë lidhur me punonjësen e MPB-së dhe kanë koordinuar procedurën deri në futjen dhe miratimin e paligjshëm të kategorive. Personat që i kanë marrë patentat, edhe pse nuk i plotësonin kushtet ligjore, dyshohet se më pas i kanë përdorur dokumentet e falsifikuara si të vërteta.
Rasti përfshin edhe përdorimin e këtyre dokumenteve. Gjashtë persona i kanë përdorur patentat gjatë kalimit të kufirit shtetëror, ndërsa dy prej tyre edhe në procedurat për marrjen e certifikatave të kompetencës profesionale për shoferë në transportin ndërkombëtar. Për punonjësen e MPB-së, prokuroria thotë se ekzistojnë baza dyshimi për 22 vepra penale “Falsifikim i dokumentit” dhe një vepër në tentativë.
Për punonjësen e MPB-së dhe dy persona që në mënyrë të përsëritur kanë përdorur patentat e falsifikuara në transportin ndërkombëtar është kërkuar paraburgim. Për 17 persona janë propozuar masa kujdesi, ndërsa shtatë janë të paarritshëm për organet e ndjekjes.
“Prokuroria vazhdon ta hetojë rastin dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë, si të punësuar në MPB, ashtu edhe ndërmjetësues dhe përdorues të mundshëm të dokumenteve të tilla të falsifikuara, si dhe keqpërdorime të tjera të mundshme gjatë lëshimit dhe përdorimit të patentë shoferëve”, theksojnë nga Prokuroria Themelore – Shkup.
Ndërkohë, MPB-ja ka njoftuar Ministrinë e Transportit për parregullsitë dhe ka kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe rishqyrtim të ligjshmërisë së certifikatave të dhëna më parë. Për punonjësen do të iniciohet edhe procedurë për përgjegjësi disiplinore, ndërsa deri në përfundimin e saj do të pezullohet nga vendi i punës.


