Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, kërkoi në Komisionin e Ligjeve mbështetjen për ratifikimin e Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës, duke e vendosur diskutimin te marrëdhënia e re mes qytetarit dhe një shteti gjithnjë e më digjital.
“Sa më shumë teknologjia hyn në marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit, aq më e rëndësishme bëhet pyetja: kush garanton të drejtat e qytetarit kur në këtë marrëdhënie hyn algoritmi?”, u shpreh Gogu.
Sipas Ministrit të Drejtësisë, digjitalizimi nuk mund të krijojë një zonë ku humbet përgjegjësia. Qytetari duhet të dijë si merret një vendim që e prek, të ketë informacion të mjaftueshëm për ta kuptuar, të mund ta kundërshtojë sipas ligjit dhe të dijë se kush mban përgjegjësi.
“Një shtet teknologjikisht më i zgjuar nuk duhet të nënkuptojë një qytetar më të pambrojtur”, theksoi ai.
Gogu nënvizoi se Konventa nuk duhet parë si frenë ndaj inovacionit. Shqipërisë i duhet inteligjenca artificiale dhe një administratë më e shpejtë e më efikase, por përdorimi i fuqive të reja teknologjike nga shteti duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit.
Duke e lidhur ratifikimin me procesin e integrimit europian, Ministri tha se integrimi nuk është më vetëm çështje ligjesh të miratuara, por standardesh që duhet të reflektohen në praktikën institucionale.
“Qeveria propozon ratifikimin. Ne shpjegojmë detyrimet që Shqipëria merr. Kuvendi vendos”, përfundoi Gogu, duke kërkuar mbështetjen e Komisionit për projektligjin.


