Apple ka prezantuar gjeneratën e re të orëve inteligjente, Watch Series 12 dhe Watch Ultra 4, duke sjellë çipin e ri S11, sensorë më të avancuar për matjen e rrahjeve të zemrës dhe një sistem të përmirësuar të monitorimit të shëndetit.
Apple Watch Series 12 vjen në dy madhësi, 42 mm dhe 46 mm, ndërsa të dyja modelet e reja, së bashku me Ultra 4, janë të pajisura me çipin e ri S11, transmeton Telegrafi.
Pajisjet kanë gjithashtu sensorë optikë dhe elektrikë të përmirësuar për matjen e rrahjeve të zemrës, si dhe një version të avancuar të Health Sensing System.

Apple pretendon se të dyja orët e reja ofrojnë matjen më të saktë të rrahjeve të zemrës në kategorinë e pajisjeve të veshshme. Kompania thotë se këtë rezultat e ka verifikuar përmes një studimi me më shumë se 1,000 pjesëmarrës, ku pajisjet janë krahasuar me produkte të tjera lider në treg.
Rrahjet e zemrës maten çdo 5 sekonda
Një nga përmirësimet kryesore është frekuenca e matjeve. Apple Watch Series 12 dhe Ultra 4 do të matin rrahjet e zemrës çdo 5 sekonda, ndërsa variabiliteti i rrahjeve të zemrës (HRV) do të matet 24 herë më shpesh se në modelet e vjetra.
Apple ka prezantuar gjithashtu një funksion të ri të quajtur Readiness Score, i cili jep një vlerësim nga 0 deri në 10 dhe synon t’i tregojë përdoruesit se sa i gatshëm është trupi për ngarkesa të ndryshme stërvitore.

Një tjetër risi është Health Age, e integruar në aplikacionin e ridizajnuar Health dhe në skedën e re Longevity.
Ky funksion kombinon të dhëna si VO₂ max, rrahjet e zemrës në pushim, HRV dhe gjumin, për të vlerësuar nëse “mosha shëndetësore” e përdoruesit është më e re apo më e madhe se mosha e tij biologjike.
Interesant është fakti se Health Age nuk do të jetë ekskluziv për modelet e reja. Apple ka konfirmuar se funksioni do të jetë i disponueshëm edhe në Apple Watch më të vjetra gjatë këtij viti, fillimisht në Shtetet e Bashkuara.
Ultra 4 sjell një përmirësim të madh të baterisë
Risia më e madhe e Apple Watch Ultra 4 lidhet me autonominë e baterisë.
Apple nuk ka zbuluar kapacitetin e baterisë në miliamper-orë, por ka publikuar kohën e përdorimit. Ultra 4 ofron deri në 50 orë përdorim normal, ose 8 orë më shumë se paraardhësi, që përfaqëson një përmirësim prej rreth 19 për qind.
Në Low Power Mode, ora mund të funksionojë deri në 84 orë, 12 orë më shumë se Watch Ultra 3.

Ndërkohë, Watch Series 12 ofron deri në 24 orë përdorim normal dhe 38 orë në Low Power Mode, shifra të njëjta me Series 11.
Megjithatë, është përmirësuar ndjeshëm autonomia gjatë aktiviteteve sportive në natyrë. Series 12 mund të ofrojë deri në 10 orë bateri gjatë një stërvitjeje outdoor, ose 25 për qind më shumë se gjenerata e mëparshme.
Series 12 me alumin, titan dhe qeramikë
Apple Watch Series 12 ofrohet me tre materiale të ndryshme të kasës dhe në tetë përfundime, në varësi të madhësisë 42 mm ose 46 mm.
Modelet prej alumini vijnë në ngjyrat Dark Bronze, Black, Light Gold – të trija të reja – si dhe Space Grey.
Versionet prej alumini përdorin xhamin Ceramic Shield 2, për të cilin Apple pretendon se është 60 për qind më rezistent se xhami Ion-X.

Ngjyrat Radiant Gold, e cila është e re, dhe Natural Titanium përdoren në modelet prej titani. Apple thotë se kasa prej titani prodhohet me printim 3D nga 100 për qind titan i ricikluar, ndërsa edhe alumini është tërësisht i ricikluar.
Për herë të parë pas një kohe, qeramika rikthehet në linjën standarde Apple Watch. Modelet qeramike vijnë në Pearl White dhe Night Blue.
Ultra 4 me titan të klasës 5
Apple Watch Ultra 4 përdor titan të klasës 5 dhe ofrohet në dy variante ngjyrash: Natural Titanium dhe Black Titanium.
Apple ka prezantuar gjithashtu disa opsione të reja për rripat.
Trail Loop vjen në ngjyrat Dark Umber, Sand dhe Burgundy.

Alpine Loop ofrohet në Desert, Dark Olive dhe Burgundy.
Ndërsa Ocean Band tani ka një përfundim të tejdukshëm dhe vjen në tre variante: Translucent Gray, Translucent Kelp dhe Translucent Black.
Çmimet dhe data e shitjes
Apple Watch Series 12 dhe Apple Watch Ultra 4 janë të disponueshme për porosi paraprake që nga sot, ndërsa shitja zyrtare do të nisë më 18 shtator.

Çmimi fillestar i Apple Watch Series 12 është 399 dollarë ose 449 euro, ndërsa Apple Watch Ultra 4 nis nga 799 dollarë ose 899 euro.


