Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka sqaruar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, një masë që vjen si përgjigje ndaj bllokimit të linjave të transmetimit nga ana e Serbisë.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Rizvanolli theksoi se që nga 14 dhjetori i vitit 2020, kur Kosova u bashkua me Shqipërinë në një bllok të pavarur rregullues energjetik, Serbia ka penguar linjat e transmetimit për alokim komercial me Kosovën.
Kjo situatë ka shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe ka rrezikuar furnizimin me energji elektrike në disa raste, duke e bërë situatën më të vështirë për qytetarët dhe bizneset.
Ministrja përmendi vitin 2024 si një shembull, kur bllokimi i linjave ka rritur ngarkesën në linjat e tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke çuar në rritjen e çmimeve të kapaciteteve ndërkufitare.
“Rritja e kostos për qytetarët është rritur nga 1 milion euro në mbi 9 milionë gjatë atij viti”, tha Rizvanolli, duke theksuar pasojat e bllokimit të linjave.
Ajo gjithashtu përmendi se në janar të këtij viti, bllokimi i linjave kishte rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, duke detyruar KOSTT-in të aplikonte reduktime në të gjithë Kosovën.
Rizvanolli theksoi se Qeveria ka ngritur vazhdimisht këtë çështje në mekanizmat ndërkombëtarë, duke kërkuar mbështetje për të ushtruar presion ndaj Serbisë për lirimin e linjave të transmetimit.
“Ne nuk kërkojmë lirimin e linjave për të importuar energji nga Serbia, por bllokimi i këtyre linjave e bën të pamundur përdorimin e tyre për tranzit”, theksoi ajo.
Ministrja nënvizoi se një ndryshim i rëndësishëm ka qenë vendimi i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, i cili ka konstatuar shkeljen e traktatit nga Serbia dhe ka kërkuar lirimin e linjave deri më 1 korrik 2026.
Megjithatë, ky vendim nuk është zbatuar deri tani, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme përmes Bashkimit Evropian.
Rizvanolli gjithashtu informoi se javën e kaluar i është drejtuar ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, për shqyrtimin e masave tregtare si kundërpërgjigje ndaj Serbisë.
Ajo sqaroi se vendimi i ri nuk nënkupton se deri tani institucionet dhe kompanitë kryesore të energjisë në Kosovë kanë pasur transaksione me kompani serbe, duke theksuar se KOSTT dhe KEK nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie tregtare me to gjatë qeverisjes së saj.
“As KEDS dhe KESCO nuk kanë pasur transaksione me kompani serbe, por kjo nuk ka qenë e ndaluar deri tani; nga sot është e ndaluar”, theksoi Rizvanolli.
Ministrja përfundoi duke theksuar se në tregun e energjisë tashmë ka më shumë tregtarë, dhe për këtë arsye Qeveria ka vlerësuar të nevojshme vendosjen e kësaj ndalese për të parandaluar tregtimin me kompani që kanë lidhje me pronarë serbë.


