Taekwondistja nga Maqedonia e Veriut, Milijana Reljiq është futur në mesin e dhjetë më të mirave në botë në kategorinë deri në 62 kilogramë, ndërsa në renditjen olimpike në kategorinë deri në 57 kilogramë ka bërë një ngjitje prej 17 pozicionesh dhe tani renditet në vendin e 22-të, përcjell TV21. Në renditjen olimpike, dy kategori bashkohen në një, ndaj edhe renditja është e veçantë.
Medalja e bronztë e fituar në Kampionatin e Hapur Botëror për femra G-4, i solli Reljiqit pikë të rëndësishme për renditjen e shtatorit. Këto pikë konsiderohen të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt sigurimit të normës A për Lojërat Olimpike në Los Anxhelos 2028.
Trajneri i saj, Aleksandar Eftimov, shprehet optimist për ecurinë e saj, duke theksuar se Reljiq është aktualisht e vetmja sportiste maqedonase në mesin e dhjetë më të mirave në botë në një sport olimpik.
Ai gjithashtu falënderoi ministrin e Sportit, Borko Ristovskin, dhe Federatën Maqedonase të Taekwondos, të cilët mbuluan të gjitha shpenzimet financiare për turneun në Kinë.
Reljiq këtë muaj do të ketë edhe tre gara, në Nish, Hamburg dhe Varshavë, ku do të kërkojë medalje dhe pikë të reja. Ajo synon të fitojë edhe 16 pikët e mbetura nga numri maksimal i pikëve që mund të llogariten për renditjen olimpike.
Një medalje e artë sjell 10 pikë, e argjendtë 6 pikë, ndërsa e bronztë 3.60 pikë.


