Rob Reiner është nderuar pas vdekjes me një tjetër çmim të rëndësishëm në karrierën e tij. Aktori dhe regjisori i njohur fitoi çmimin Emmy për Aktori më i Mirë i Ftuar në një Serial Komedi, falë interpretimit të tij në serialin e famshëm The Bear. Çmimi iu dha gjatë Creative Arts Emmy Awards 2026, të zhvilluara më 6 shtator në Peacock Theater në Los Angeles. Reiner, i cili u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2025, nuk mundi ta merrte personalisht trofeun. Çmimin në emër të tij e pranuan prezantuesit e kategorisë, Wendi McLendon-Covey dhe David Alan Grier.
Momenti u shoqërua me një ovacion të gjatë në këmbë nga publiku, duke e kthyer ceremoninë në një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes. Ky është Emmy i tretë në karrierën e Reiner, ndërsa roli i tij në episodin “Tonnato” të sezonit të katërt të The Bear i siguroi nominimin e tij të tetë në karrierë. Para këtij çmimi, Reiner kishte fituar dy Emmy të tjera, të dyja për rolin e Michael “Meathead” Stivic në All in the Family, në vitet 1974 dhe 1978. Në serial, Reiner interpretoi Albert Schnurr, një konsulent restoranti që ndihmon Ebra-n, personazhin e luajtur nga Edwin Lee Gibson, për të përmirësuar shërbimin e restorantit The Original Beef dhe më pas bëhet pjesë e planeve për zgjerimin e biznesit.
Roli në The Bear ishte ndër paraqitjet e fundit të Reiner në ekran. Edhe finalja e serialit i kushtoi një homazh aktorit. Gjatë një telefonate me Albertin, Ebra merr miratimin për të vijuar me planin e zgjerimit të biznesit dhe në fund i thotë: “As you wish”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj filmit të famshëm të vitit 1987, The Princess Bride, një prej veprave më të dashura të Reiner. Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Singer Reiner, u vranë në shtëpinë e tyre në Brentwood në dhjetor të vitit 2025. Djali i tyre, Nick Reiner, 32 vjeç, është akuzuar për dy vepra penale të vrasjes së shkallës së parë në lidhje me vdekjen e prindërve dhe është deklaruar i pafajshëm. Ceremonitë e Creative Arts Emmy Awards 2026 u zhvilluan më 5 dhe 6 shtator në Los Angeles dhe do të përmblidhen në një transmetim të vetëm më 12 shtator në FXX, ndërsa do të jenë të disponueshme për transmetim në Hulu nga dita pasuese


