Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, ka përcjellë urime për qytetarët, duke theksuar se pavarësia nuk është vetëm një ngjarje historike, por edhe përgjegjësi e përhershme e çdo brezi, përcjell TV21. Në mesazhin e saj, ajo kujton referendumin e 8 shtatorit 1991 dhe krijimin e shtetit të pavarur e sovran, duke theksuar se e ardhmja e vendit varet nga vetë qytetarët.
“Kemi përgjegjësi brezash për t’i përfunduar detyrat urgjente: të çrrënjosim krimin dhe korrupsionin, të vendosim sundim të pakompromis të ligjit dhe të ndërtojmë një shoqëri paqësore dhe të drejtë, me qytetarë të barabartë dhe të njëjtë, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë, boshnjakë apo të tjerë. Amaneti i KAÇKM-së na mëson: ‘Çfarë Maqedonie do të ndërtojmë, të tillë do ta kemi’. Askush tjetër nuk do të na e rregullojë shtëpinë, përveç nesh vetë!”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Ajo veçoi edhe largimin e të rinjve nga vendi si një nga sfidat më të mëdha, duke theksuar nevojën për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, të zhvilluar dhe evropian, ku të rinjtë do të krijojnë familje dhe të ardhmen e tyre. Në fund të urimit, presidentja theksoi se 8 Shtatori është dita kur qytetarët, në mënyrë demokratike dhe me shumicë të madhe, u deklaruan për shtet sovran dhe të pavarur.


