Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy përballje interesante të xhiros së katërt, të cilat zhvillohen nga ora 16:00. Në program janë sfidat Malisheva – Gjilani dhe Ballkani – Feronikeli 74.
Në stadiumin e Malishevës pritet një përballje tejet interesante mes dy skuadrave që e kanë nisur mirë kampionatin. Malisheva dhe Gjilani kanë nga shtatë pikë pas tri ndeshjeve, me nga dy fitore dhe një barazim, duke mbetur ende të pamposhtura.
Malisheva e ka nisur sezonin me një fitore bindëse 6-1 ndaj Vushtrrisë, ndërsa më pas barazoi me Drenicën dhe fitoi ndaj Prishtinës, duke u pozicionuar në pjesën e sipërme të tabelës. Edhe Gjilani ka marrë shtatë pikë, pas dy fitoreve dhe një barazimi.
Pikërisht për këtë arsye, dueli i sotëm mund të ketë peshë të madhe në kreun e tabelës. Fituesi do të bëjë një hap të rëndësishëm për t’iu afruar kreut të renditjes.
Në anën tjetër, Ballkani do të përballet me Feronikelin 74, në një sfidë me objektiva të ndryshme për dy skuadrat.
Ballkani ka gjashtë pikë pas tri ndeshjeve, me dy fitore dhe një humbje, dhe sot kërkon të rikthehet te fitorja për të mos lejuar shkëputjen e skuadrave të kreut.
Përballë do të ketë një Feronikeli 74 ende pa pikë, i cili i ka humbur të tri ndeshjet e para të kampionatit. Skuadra nga Drenasi ka shënuar vetëm një gol deri tani, ndërsa ka pranuar shtatë.


