Një 70-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar në polici se është mashtruar për një shumë prej 720 mijë denarësh (rreth 11,700 euro), pasi për muaj me radhë i ka dhënë para një personi me inicialet A. N. Sipas denoncimit, gjithçka ka nisur më 18 janar të këtij viti. Personi i dyshuar i ka kërkuar para 70-vjeçarit, duke i thënë se i nevojiteshin për kurimin e djalit të tij jashtë vendit.
Por, sipas denoncimit, kërkesat për para nuk kanë përfunduar këtu. Më vonë, i dyshuari i ka marrë para edhe me arsyetimin se do të rregullonte një borxh për ujë.
“Më 05.09.2026, në orën 18:00, në SPB Shkup, një 70-vjeçar nga Shkupi ka raportuar se nga 18.01.2026 deri në fund të shkurtit 2026 është mashtruar nga A. N. për një shumë prej 720.000 denarësh. Sipas denoncimit, A.N. i ka kërkuar para me arsyetimin se i nevojiteshin për kurimin e djalit të tij jashtë vendit, ndërsa më pas i ka marrë para edhe për gjoja rregullimin e një borxhi për ujë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.


