Geena Davis dëshmoi edhe një herë se eleganca nuk njeh moshë, teksa u shfaq në tapetin e kuq të Festivalit të 83-të të Filmit në Venecia.
Aktorja fituese e Oscarit mori pjesë në premierën e filmit “The Basics of Philosophy”, të Paul Schrader, duke tërhequr vëmendjen me një pamje që riktheu në kujtesë magjinë e Hollivudit klasik.

Davis, 70 vjeç, zgjodhi një fustan të gjatë të zi të mbuluar me detaje vezulluese, i cili ndiqte linjat e trupit.
Dekolteja katrore dhe çarja e lartë i dhanë veshjes një prekje sensuale, ndërsa aktorja e kompletoi pamjen me bizhuteri diamanti. Flokët e saj të gjatë kafe i mbajti të lëshuar, të stiluar në onde të buta dhe voluminoze.

Rezultati ishte një pamje glamuroze dhe elegante, pa e tepruar me aksesorët apo detajet.
Paraqitja në Venecia vjen më shumë se 40 vjet pas debutimit të Davis në ekranin e madh. Ajo nisi karrierën si modele dhe debutoi në film në vitin 1982, në “Tootsie”, përkrah Dustin Hoffman.

Më pas, roli në “The Fly” dhe ai në “The Accidental Tourist” e konsoliduan si një prej aktoreve më të njohura të Hollywoodit. Për “The Accidental Tourist”, Davis fitoi Oscar-in për aktoren më të mirë në rol dytësor në vitin 1989.
Por një prej roleve më të paharrueshme të karrierës së saj mbetet Thelma në filmin “Thelma & Louise”, ku luajti përkrah Susan Sarandon. Roli i solli asaj një tjetër nominim për Oscar.
“Thelma & Louise” ndikoi gjithashtu në mënyrën se si Davis e shihte përfaqësimin e grave në ekran.
Në vitin 2004, ajo themeloi Geena Davis Institute on Gender in Media, organizatë që fokusohet në studimin dhe përmirësimin e përfaqësimit të grave dhe vajzave në media.
Në Venecia, megjithatë, vëmendjen e mori sërish figura e saj si ikonë e kinemasë, me një fustan të zi, pak shkëlqim dhe një paraqitje që dëshmoi se Geena Davis vazhdon të dominojë tapetin e kuq me elegancën e saj.


