Një ekip studiuesish kanadezë dhe zviceranë i është shtuar një numri gjithnjë e më të madh provash që tregojnë se personat me të ardhura të ulëta kanë më shumë gjasa të jenë në gjendje më të keqe shëndetësore dhe të plaken më shpejt se bashkëmoshatarët e tyre me gjendje më të sigurt financiare.
“Personat me më pak pasuri prireshin të kishin nivele më të ulëta funksionimi dhe përjetonin rënie më të mëdha të lëvizshmërisë dhe të aftësisë për të kryer aktivitetet e përditshme ndërsa plakeshin”, tha botuesi PLOS Medicine, pas një analize të të dhënave shëndetësore për pothuajse 32.000 persona të moshave nga 50 deri në 85 vjeç në Britani dhe Kanada.
I kryer nga mjekë në Spitalet Universitare të Gjenevës (HUG) dhe në Universitetin e British Columbia-s (UBC), studimi tregoi se një 60-vjeçar në Angli, që i përket grupit më të varfër, mund të ketë të njëjtin ritëm ecjeje si një 75-vjeçar nga grupi më i pasur. Ekipi synoi të qartësonte lidhjen midis pasurisë dhe treguesve të mirëqenies fizike, si ritmi i ecjes, forca e shtrëngimit të dorës, kapaciteti i mushkërive dhe dëgjimi, si edhe sa mirë njerëzit mund të përballonin aktivitete rutinë, por thelbësore, të tilla si veshja, larja dhe ushqyerja.
PLOS i përshkroi gjetjet si “korrelative”, duke vënë në dukje se autorët theksuan se të dhënat nuk përfshinin “faktorët e fëmijërisë” ose aksesin në kujdesin shëndetësor privat. Megjithatë, ekipi tha në punimin e tij se lidhja midis statusit socioekonomik dhe shëndetit qëndronte edhe kur “faktorët e zakonshëm të rrezikut, përfshirë sjelljet shëndetësore, statusin e peshës trupore, sëmundjet kronike dhe lidhjet shoqërore”, u morën parasysh.
Ky studim nuk është i pari që demonstron një lidhje midis pasurisë dhe shëndetit, ndërsa ekipi UBC-HUG vuri në dukje se “pabarazitë socioekonomike në trajektoret e plakjes funksionale janë raportuar më parë”. Në një studim të vitit 2020, të botuar nga Proceedings of the National Academy of Sciences në SHBA, një ekip nga University College London tha se kishte gjetur se shenjat e moshës së thyer zakonisht mund të shihen “shumë më herët te njerëzit më të varfër”, me një ritëm ecjeje pothuajse 40% më të ulët te personat me gjendje më të dobët ekonomike dhe një ndryshim prej 10% në rënien e kujtesës.
Ekipi UBC-HUG tha se kërkimi i tyre i shtoi diçka të re kësaj fushe duke krahasuar të dhënat midis vendeve, duke sjellë njohuri të reja mbi dallimet midis rajoneve dhe gjinive. Sipas Stephanie Schrempft nga HUG, të dhënat sugjerojnë se të ardhurat e ulëta dhe statusi socioekonomik ndikojnë ndryshe te burrat dhe gratë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe plakjen biologjike.
“Gratë më pak të pasura kishin më shumë vështirësi me lëvizshmërinë dhe aktivitetet e përditshme, megjithatë kishin funksion më të mirë të mushkërive sesa burrat më pak të pasur”, shpjegoi ajo.


