YouTube-ri dhe influencuesi amerikan Jack Doherty, 22 vjeç, është arrestuar në Fort Lauderdale të Floridës, nën akuzën për dhunë në familje.
Sipas të dhënave gjyqësore, policia ndërhyri në një banesë në zonën Riverside Park pak para mesditës, pas një raportimi për një konflikt familjar. Sipas autoriteteve, Doherty dhe një grua ishin përfshirë në një “përleshje fizike” brenda shtëpisë.
Policia bëri të ditur se gruaja e përfshirë në incident nuk kishte pësuar lëndime, ndërsa identiteti i saj nuk është bërë publik.

Doherty u dërgua në Burgun Kryesor të Qarkut Broward, ndërsa në fotografinë e arrestimit vihet re një prerje në faqen e tij. Nuk është bërë e ditur se si e ka pësuar atë.
Sipas të dhënave të gjykatës, ai nuk është liruar me kusht dhe po pret procedurat e mëtejshme gjyqësore. Deri tani nuk është caktuar një datë për seancën e radhës.
Arrestimi i fundit vjen më pak se një vit pas një tjetër përplasjeje të Doherty-t me autoritetet në Florida.
Në nëntor 2025, ai u arrestua pasi policia pretendoi se kishte penguar trafikun ndërsa po regjistronte përmbajtje për rrjetet sociale. Gjatë kontrollit, autoritetet pretenduan se gjetën amfetaminë dhe marihuanë, ndërsa ai u akuzua edhe për rezistencë ndaj arrestimit.
Megjithatë, çështja e mëparshme nuk përfundoi me gjyq apo dënim. Doherty u pranua në një program alternativ të trajtimit të lidhur me drogën në Miami-Dade dhe, pasi përmbushi kushtet e tij, mori certifikatën e përfundimit. Më pas, akuzat u rrëzuan zyrtarisht.
Doherty është një nga krijuesit e përmbajtjes më të njohur në rrjetet sociale. Ai ka më shumë se 15 milionë abonentë në YouTube dhe afro 11 milionë ndjekës në TikTok.
Jeta e tij private ka qenë gjithashtu shpesh në qendër të vëmendjes. Në tetor 2025, ai i dha fund martesës me yllin e OnlyFans, McKinley Richardson, pas më pak se një viti martesë.
Hetimet dhe procedurat gjyqësore për akuzën e fundit për dhunë në familje pritet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm në çështjen ndaj tij.


