Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një ndryshim në mënyrën e funksionimit dhe komunikimit të deputetëve socialistë, duke theksuar se roli i tyre duhet të jetë më i lidhur me territorin dhe qytetarët.
Gjatë mbledhjes së zgjeruar të grupit të PS-së, Rama tha se deputetët duhet të jenë ura lidhëse mes problematikave reale në terren dhe institucioneve që duhet të japin zgjidhje, duke shmangur improvizimin e fakteve apo përdorimin e rrjeteve sociale si skenë personale.
“Edhe roli i deputetit duhet të ndryshojë, duhet të sjellë dhe të përcjellë. Ai është personi më i duhur për të sjellë çdo sinjal real të territorit te institucioni që duhet të përgjigjet, jo në Instagram”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se deputeti duhet të përcjellë vendimet e mazhorancës në territor, duke u bazuar te faktet dhe duke garantuar përfaqësimin e qytetarëve.
“Deputetët nuk duhet të improvizojnë faktet. Deputeti duhet t’i hapë rrugë zërit të ngarkuar për të thënë atë që di. Përfaqësimi nuk është një skenë”, u shpreh kryeministri.
Rama u ndal edhe te përdorimi i rrjeteve sociale, duke thënë se hapësira digjitale nuk duhet të shërbejë për krijimin e një “skenë” personale nga deputetët, por për të shpërndarë zërin e mazhorancës dhe të Partisë Socialiste.
“Kjo botë e marrë digjitale nuk duhet të jetë vendi ku deputetët tanë krijojnë skenën e tyre. Duhet të jetë vendi ku skena jonë është e shpërndarë përmes të gjithë deputetëve, në përpjekjen për t’i dhënë zë kësaj shumice dhe kësaj partie, në një botë ku zëri ynë mbytet”, tha Rama.


