Ylli i Dolly Parton në “Hollywood Walk of Fame” po zëvendësohet pasi pësoi dëmtime, vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës country në moshën 80-vjeçare.
Pamjet e reja tregojnë ekipet e mirëmbajtjes duke punuar të mërkurën për restaurimin e yllit, ndërsa lajmi ka shkaktuar reagime të shumta mes fansave të këngëtares.

Ana Martinez, zëdhënëse e Dhomës së Tregtisë së Hollywood-it, tha për Daily Mail se një fans kishte raportuar se ylli ishte vandalizuar dhe kishte pësuar disa gërvishtje.
Megjithatë, Martinez sqaroi se ylli ishte planifikuar të riparohej që javën e kaluar, për shkak të çarjeve të shkaktuara nga konsumimi.

Ekipi i mirëmbajtjes ka larguar lulet që fansat kishin vendosur pranë yllit dhe ka nisur punimet për restaurimin e tij.
Sipas Martinez, puna po realizohet nga Hollywood Historic Trust, organizata përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e yjeve në “Walk of Fame”.
Ylli i Parton do të lustrohet dhe pritet të jetë sërish i gatshëm për fansat të premten.

Pamjet e punimeve u publikuan fillimisht nga radioja me bazë në Los Angeles, KNX, ku shihen punëtorët duke ndërhyrë në yllin e këngëtares. Sipas raportimeve, emri i Parton ishte gërvishtur.
Fansat e këngëtares së “Jolene” reaguan menjëherë në rrjetet sociale.
Ky lajm më dhemb shumë në zemër
-shkroi një komentues.
Një tjetër komentoi:
Është një tjetër dëshmi se, pavarësisht se kush je apo çfarë bën, gjithmonë do të ketë dikush që të urren.
Ndërsa një tjetër reagoi:
Çfarë dreqin, kush do ta bënte këtë?
Megjithatë, disa fansa vunë në dukje se dëmtimi mund të ishte thjesht pasojë e përdorimit dhe konsumimit ndër vite.
Ylli ishte dëmtuar nga përdorimi dhe konsumimi i zakonshëm. Kishte çarje dhe duhej të zëvendësohej
-shkroi një komentues.
Dolly Parton mori yllin e saj në “Hollywood Walk of Fame” në vitin 1984, më shumë se katër dekada më parë.
Që prej ndarjes së saj nga jeta, vendi është kthyer në një pikë ku fansat janë mbledhur për të vendosur lule dhe për të nderuar kujtimin e artistes legjendare.
Tashmë, me restaurimin e yllit, simboli që përfaqëson kontributin e Parton në muzikë dhe kulturën pop do të jetë sërish i hapur për fansat që duan t’i bëjnë homazhe.


