Celine Dion është shfaqur në humor të mirë teksa përshëndeti fansat jashtë hotelit Royal Monceau në Paris, në një prej daljeve të saj të para publike pas rreth dy vitesh.
Superylli 58-vjeçar u fotografua të hënën duke buzëqeshur dhe përshëndetur admiruesit, ndërsa kishte zgjedhur një veshje elegante me një xhaketë lëkure ngjyrë kafe, pantallona të zeza, çizme me taka dhe syze dielli.

Pamja e saj u prit me entuziazëm nga fansat, të cilët prej kohësh kanë pritur ta shohin sërish këngëtaren në publik.
Dalja e Dion vjen në një moment të rëndësishëm, vetëm pak para rikthimit të saj të shumëpritur në skenë.

Këngëtarja po përgatitet për një seri koncertesh në Paris, rreth tre vjet pasi anuloi turneun e saj botëror për shkak të sindromës së personit të ngurtë (SPS), një çrregullim i rrallë neurologjik që shkakton ngurtësi të muskujve dhe spazma të dhimbshme.
Në mars, Dion njoftoi rikthimin e saj me një rezidencë dhjetëditore në Paris, e cila do të nisë këtë vjeshtë.

Interesi i madh i publikut bëri që këngëtarja të shtojë edhe 16 shfaqje të tjera, të planifikuara nga shtatori 2026 deri në maj 2027.
Për t’u rikthyer në skenë, Dion ka ndjekur një program rigoroz përgatitjeje fizike.
Ajo po zhvillon seanca 90-minutëshe Pilates tri herë në javë, si dhe merr pjesë në klasa baleti dy herë në javë.

Pas vitesh përballjeje me simptomat, këngëtarja u diagnostikua me SPS në vitin 2022 dhe më pas foli hapur për betejën e saj me sëmundjen në dokumentarin “I Am: Celine Dion”.

Tashmë, shfaqja e saj e buzëqeshur në Paris ka dhënë një tjetër sinjal se Dion po përgatitet për një prej rikthimeve më të rëndësishme të karrierës së saj.
Pas dy vitesh larg skenës, Celine Dion duket më pranë se kurrë momentit kur do të dëgjojë sërish duartrokitjet e publikut.


