Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se situata e re politike kërkon që të takohet sërish me kryetarin e LDK-së dhe të diskutojë brenda Lëvizjes Vetëvendosje për rrugën përpara, megjithëse marrëveshja për presidentin qëndron, raporton Ekonomia Online.
Kurti e ka quajtur “të papërgjegjshme, të dëmshme dhe absurde” sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së që nuk e mbështetën kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.
Kjo, sipas Kurtit, tregon vullnet për ta çuar vendin sërish në zgjedhje.
“Natyrisht kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënës qëndrimi i Kryesisë së LDK-së për mbështetje të plotë për profesor Bekim Sejdiun si emër për president që u pajtuam dy subjektet. Por, më pas patëm njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës së Kosovës. Është situatë e re që kërkon që në njërën anë të takohemi përsëri me kreytarin e LDK-së por edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes”.
“Për bindjen time dhe të gjithë deputetëve, e konsiderojmë të papërgjegjshme, të dëmshme dhe absurde një sjellje të tillë, ku pas tri palë zgjedhjesh duket se ka vullnet të shkojmë për të katërtën herë në zgjedhje. Për të katërtën herë nuk di pse duhet që, pa arsye, pa nevojë, të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”.
Kurti, tutje e ka quajtur marrëveshjen me LDK-në një lajm të mirë për skenën politike në Kosovë dhe ka falenderuar Abdixhikun, Osmanin e Hazirin si ekip negociues.
“Për marrëveshjen politike që e arritëm me aq shumë mund, e falënderoj ekipin negociues të LDK-së, kryetarin Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin. Është një lajm i mirë për skenën politike në Kosovë”, deklaroi Kurti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të VV-së, raporton Ekonomia Online.




