Eva Longoria ka zbuluar se nuk ka ndërmend ta lejojë djalin e saj 8-vjeçar, Santiago, të shohë serialin që e bëri të famshme, “Shtëpiake të dëshpëruara”. Aktorja 51-vjeçare luajti gjatë gjithë kohës që seriali u transmetua, nga viti 2004 deri në 2012, në rolin e Gabrielle Solis, një prej personazheve më të guximshme dhe kontroverse të Wisteria Lane. Që në sezonin e parë, Gabrielle shfaqet në një lidhje jashtëmartesore me kopshtarin e saj 16-vjeçar, John Rowland, të interpretuar nga Jesse Metcalfe.
Longoria dhe bashkëshorti i saj, producenti José Bastón, jetojnë mes Meksikës dhe Spanjës së bashku me djalin e tyre. Edhe pse rritet jashtë SHBA-së, Santiago ka nisur të kuptojë famën e së ëmës dhe, sipas Longorias, është bërë “i fiksuar” pas meme-ve të Gabrielle Solis që sheh në YouTube.
“Kohët e fundit po i shoh edhe unë shumë më tepër, sepse ai po i zbulon. Më pyet: ‘Mami, kur mund ta shoh?’ dhe unë i përgjigjem: ‘Kurrë’”, tregoi aktorja për revistën People.
Longoria u bë nënë në moshën 43-vjeçare dhe ka thënë se kjo ishte koha e duhur për të.
“Ke shumë më tepër mençuri dhe durim kur bëhesh nënë në të dyzetat”, është shprehur ajo, duke shtuar se para se të bëhej nënë, fokusi i saj kryesor kishte qenë karriera. “Për 40 vjet gjithçka kishte të bënte me mua. Kisha udhëtuar dhe kisha bërë gjithçka që duhej për karrierën time. Tani gjithçka që bëj është thjesht qershia mbi tortë dhe mund ta bëj së bashku me djalin tim”, ka rrëfyer Longoria.


