Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë Kurti se po ndëshkon qytetarët e vetëm pse nuk e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet lokale.
Ai ka bërë me dije se kjo qeveri në mënyrë të qëllimshme po i bllokon komunat e Kosovës.
Rama ka thënë se me këtë qasje Kosova po rrëshqet drejt diktaturës.
“Kërkojmë mbrojtjen e demokracisë, të Republikës dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kompetencat e komunave duhet të respektohen njësoj si ato të nivelit qendror. Pikërisht për këtë arsye qytetarët i zgjedhin kryetarët e komunave, që ata t’i çojnë proceset përpara. Por çfarë ndodh nëse centralizohet e gjithë Kosova dhe me gjithçka merret vetëm një njeri? Ky sistem njihet: është sistem komunist dhe diktatorial”, ka thënë Rama në gazetën Nacionale.
Ai ka vlerësuar se kjo qasje e Qeverisë është e palogjikshme.
“Unë këtë nuk e kuptoj. Është jashtë çdo logjike. Në fund të fundit, qeveritarët dhe politikanët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë në qeveri janë votuar nga qytetarët. Mirëpo këta qeveritarë po punojnë drejtpërdrejt kundër interesave të qytetarëve që i kanë votuar. Ky është problemi. Taksat dhe të hyrat që qeveria i mbledh nga qytetarët duhet t’u kthehen atyre në formën e ndihmës dhe përmirësimit të jetës, nëpërmjet komunave dhe projekteve të tjera qeveritare. Qeveria po e bën të kundërtën: po i bllokon dhe po i saboton komunat”, ka thënë Rama.
I pari i Prishtinës ka folur edhe për kryetarët e komunave që qeverisen nga VV-ja, të cilët kanë refuzuar të përkrahin këtë protestë.
Ai ka bërë me dije se kjo është bërë me urdhër të partisë.
“Po, unë e ceka që, për fat të keq, nuk besoj që ekziston demokraci në këtë parti. Për këtë arsye, i përngjan më shumë një sekti sesa një partie, ku zërin e askujt nuk guxojnë me e dëgju, por vetëm të njërit apo të dy-tre vetave aty, të cilët i marrin vendimet. Kështu që, nëse e kanë informatën që të mos bëjnë zë, atëherë nuk bëjnë zë”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë protestë është dashur të marrin pjesë edhe kryetarët e komunave të VV-së”.


