Tom Cruise ka konfirmuar rikthimin e tij në një prej roleve ikonike të karrierës, duke njoftuar se do të luajë sërish Cole Trickle në vazhdimin e filmit “Days of Thunder”.
Aktori e bëri njoftimin në Daytona International Speedway, vetëm disa orë para finales së sezonit të rregullt të NASCAR Cup Series në Daytona, ku u shfaq përpara pilotëve, drejtuesve të NASCAR, tifozëve, sponsorëve dhe pjesëtarëve të ushtrisë.
Vazhdimi i filmit të vitit 1990 pritet të mbërrijë në kinema më 2 qershor 2028, ndërsa Cruise nuk do të rikthehet vetëm si aktor, por edhe si producent.
Duke folur për projektin e ri, ai theksoi se historia nuk do të përqendrohet vetëm te garat dhe shpejtësia.
Nuk ka të bëjë vetëm me garat. Ka të bëjë me komunitetin dhe njerëzit këtu. Ka diçka të veçantë tek pilotët dhe i gjithë ai komunitet
-tha ai.
Cruise shtoi se filmi do të përpiqet t’i afrojë shikuesit me mënyrën se si funksionon një ekip garash, komuniteti dhe vetë NASCAR-i, krahas emocionit, rrezikut dhe shpejtësisë që karakterizojnë këtë sport.
Në vazhdimin e shumëpritur do të luajë edhe Anne Hathaway, e cila do të interpretojë rolin e pronares dhe inxhinieres së një ekipi garash.
Filmi do të shpërndahet nga Paramount Pictures më 2 qershor 2028. Cruise do të jetë producent së bashku me Jerry Bruckheimer dhe Tommy Harper.
Regjinë do ta marrë përsipër Jonathan Levine, ndërsa skenari është shkruar nga Will Staples.
Detajet e plota të historisë ende nuk janë bërë publike, por rikthimi i Cruise si Cole Trickle pritet të sjellë sërish në qendër botën e NASCAR-it.
“Days of Thunder” origjinal u publikua në vitin 1990 dhe u frymëzua pjesërisht nga historia e pilotit të ndjerë të NASCAR, Tim Richmond.
Në kohën e publikimit, filmi u përball me kritika dhe madje me tallje nga disa brenda industrisë së NASCAR-it, veçanërisht për mënyrën se si paraqiste dhe ekzagjeronte botën e garave.
Megjithatë, me kalimin e viteve, filmi fitoi një status të veçantë mes tifozëve të motorsportit dhe u shndërrua në një vepër kult.
Tashmë, më shumë se tri dekada pas origjinalit, Tom Cruise është gati të rikthehet pas timonit si Cole Trickle.
Premiera është caktuar për 2 qershor 2028, dhe kësaj here, duket se Cruise nuk do të sjellë vetëm një tjetër film garash, por një rikthim te një prej roleve që ka mbetur në kujtesën e fansave.


