Pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, në Maqedoninë e Veriut u shfaqën publikime nëpër rrjetet sociale nga persona zyrtarë që glorifikojnë ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës.
Një prej tyre ishte edhe drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq.
BDI kritikon VLEN-in, duke thënë se kjo parti është bashkëpërgjegjëse për qëndrimet e partnerëve të saj qeveritarë.
“Partnerët e VLEN-it në Qeveri, të cilët VLEN-i i ka mbrojtur dhe legjitimuar në çdo aspekt, sot glorifikojnë Ratko Mladiçin dhe Drazha Mihailoviçin. Ivan Stoilkoviq, ministër në Qeverinë ku bën pjesë VLEN-i dhe ministër i Vetëqeverisjes Lokale, është pjesë e këtij partneriteti politik që VLEN-i e pranon dhe e mbron për hir të pushtetit”, thonë nga BDI.
Nga VLEN gjatë ditës së djeshme përmes një kumtese dënuan çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda.
Ndërkohë sot nga Qeveria thonë se do t’i kërkojnë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin, ndërsa nëse nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, presin që të largohet nga pozita.
“Qëndrimi i Dalibor Kitanoviqit është qëndrim i tij personal dhe është i papranueshëm për Qeverinë. Qeveria i ndërton qëndrimet e saj bazuar në interesat e shtetit dhe qytetarëve. Pasi një qëndrim i tillë përcaktohet, ai duhet të respektohet nga të gjithë individët në Qeveri.
Veprimi arbitrar është i papranueshëm dhe Qeveria do t’i kërkojë Kitanoviqit ta tërheqë qëndrimin e tij. Nëse Kitanoviqi nuk pajtohet me politikat e Qeverisë, presim që të largohet nga pozita që ushtron”, theksojnë nga Qeveria.
Ndërkohë, edhe nga partia e Ivan Stoilkoviqit është publikuar një mesazh që e paraqet Mlladiqin si “shpëtimtar të popullit serb në Bosnjë”. Në postim thuhet se ai e donte popullin e tij dhe e shpëtoi atë nga gjenocidi, ndërsa gjykimi në Hagë cilësohet si i padrejtë dhe i politizuar.
Ndryshe, Ratko Mlladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai vdiq më 27 gusht, në moshën 83-vjeçare, ndërsa vuante dënimin në Hagë.


