Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, shkarkoi një ditë më parë kryetaren e komanduar të bashkisë, Anuela Ristanin.
Veliaj argumentoi se delegimi i përkohshëm i kompetencave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk mund të vijojë pasi, sipas tij, rrethanat institucionale kanë ndryshuar pas vendimmarrjes së fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vendimin e Veliajt.
Sipas tij, ky veprim i kryebashkiakut të Tiranës është një sulm i hapur ndaj kreut të qeverisë, Edi Rama.
Sali Berisha: Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon përfundimisht se Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur që dalin tani t’ia heqin dhe patkonjtë, e kupton vetë. Është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij. Nuk mohohet se Gjykata Kushtetuese vlerësoi si antikushtetues procedurën e shkarkimit nga Edi Rama nëpërmjet këshilltarëve bashkiakë socialistë të tij.
Por momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës. Dhe pra, gjithçka veprohet në një betejë midis tyre.
Po viktimë janë qytetarët e Tiranës, me keqardhje të madhe. Pra, në këtë rast kjo Ristani, e cila nuk shkarkohej nga nënkryetare por i hiqeshin të gjitha kompetencat e deleguara, dhe duke mos ia deleguar dinjitetin asaj apo këtij apo atij, i mbante vetë Erion Veliaj duke i thënë Edi Ramës: ‘dil në mejdan të tregoj se sa vlen ti’, nuk ke punë. Pra, është një zhvillim pozitiv kjo betejë. E quaj pozitiv, se sa më shumë të shkërmoqen, t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, aq më shumë e meritojnë.


