Komisioni Evropian ka thënë se pret koordinim efektiv dhe konsultime domethënëse mes komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës, për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër.
Në një konferencë për shtyp sot, zëdhënësja Anita Hipper ka thënë se ka qenë qëndrim i përhershëm i institucioneve evropiane që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve.
“Ajo që ne kërkojmë është të ketë përmirësim të koordinimit efektiv dhe konsultime domethënëse ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve në nivelin qendror. Dhe ajo që ne kërkojmë është gjithashtu që Policia e Kosovës gjithashtu duhet të ofrojë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve në përputhje me të drejtat demokratike të njeriut dhe parimet e sundimit të ligjit, në mënyrë që gjithkush të ndihet i sigurt”, ka thënë ajo.
E pyetur nga korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, se a konsideron BE-ja që ura duhet të hapet për qarkullim, Hipper sërish ka thënë se “ka ende nevojë për përmirësim të koordinimit efektiv dhe konsultime domethënëse”.
Ndërkaq paraprakisht, në një përgjigje me shkrim për KOHËN Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është njoftuar nga NATO-ja për tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të misionit të KFOR-it nga ura e Ibrit në Mitrovicë. Edhe aty, BE-ja ka thënë se megjithatë vlerëson që ka ende nevojë për përmirësim të koordinimit mes institucioneve e konsultime domethënëse.
“Për qëndrimin e misionit të NATO-s në Kosovë i takon NATO-s të vendosë. Ne mund të konfirmojmë se BE-ja është njoftuar nga NATO-ja. Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe i mbështetur në nevojën për të siguruar se ajo u shërben të gjitha komuniteteve dhe komunave që i lidh, dhe të kontribuojë në bashkëpunim e raporte të mira mes tyre”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së për KOHËN.
Ky zëdhënës ka thënë se pas transferimit të pushtetit në komunat në veri, ka nevojë për përmirësim në bashkëpunimin mes komunave në fjalë dhe institucioneve të nivelit qendror.
“Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të ofrojë siguri dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe të sundimit të ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, thuhet në përgjigje. “Të gjitha vendimet lidhur me urën duhet të marrin parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve”.
E pak pas deklaratave nga evropianët, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka diskutuar për çështjen e sigurisë me ambasadoren në detyrë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.
“Takimi ofroi mundësinë për të diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe përmirësim të koordinimit. Komandanti i KFOR-it shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes KFOR-it dhe Zyrës së BE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim të KFOR-it.
BE-ja ka thënë se Misioni i saj i sundimit të ligjit (EULEX) do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in që të ofrohet siguria adekuate për të gjitha komunitetet.
Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë. Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.


