Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë lidhur me marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për shitjen e thëngjillit, duke e cilësuar atë si një marrëveshje “puro politike”.
Në një reagim të saj, Ymeri ka thënë se marrëveshja, përfshirë shumën e paraparë, nuk përputhet me gjendjen e rënduar energjetike në vend.
“Ministrja nuk ka nevojë ta afrojë kamerën për ta shpjeguar fiasco marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për shitjen e thëngjillit”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria më shumë përgjegjësi, duke iu referuar edhe ndërprerjeve të energjisë elektrike në qendër të Prishtinës, pavarësisht se, sipas saj, dy blloqe të KEK-ut ishin në punë.
Ymeri ka përmendur gjithashtu vdekjen e dy punëtorëve të KEK-ut brenda një muaji, duke ngritur pikëpyetje për menaxhimin dhe përgjegjësinë institucionale në sektorin energjetik.
“E dimë që dini të lexoni çfarë bën Kurti, por si Qeveri jeni zgjedhur të punoni”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.


