Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar në takim liderët e partive politike, në një përpjekje për të adresuar situatën e krijuar në vend pas moskonstituimit të plotë të Kuvendit.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, takimi do të mbahet të martën, duke filluar nga ora 09:00.
Në këtë takim, pritet të diskutohet për ngërçin institucional, i cili është krijuar si pasojë e pamundësisë për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Burimet bëjnë të ditur se takimi synon të nxisë dialogun politik ndërmjet liderëve të partive, me fokus edhe te çështja e zgjedhjes së presidentit, si dhe në funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Takimi i thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes pritet të jetë një mundësi për liderët politikë që të diskutojnë rrugët për tejkalimin e ngërçit dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.


