Jimmy Rimmer, ish-portieri i Manchester United dhe Aston Villa, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Aston Villa, që e ka kujtuar Rimmer si një prej futbollistëve të saj që fitoi Kupën e Europës. Rimmer, i lindur në Lancashire, u formua në akademinë e Manchester United dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi Kupën e Europës në vitin 1968, edhe pse në finalen ndaj Benficës ishte në stol.
Ai qëndroi në Manchester United për nëntë vite, kryesisht si zëvendësues i portierit Alex Stepney, përpara se të transferohej te Arsenali në vitin 1974. Tre vite më vonë, Rimmer iu bashkua Aston Villas, ku do të përjetonte periudhën më të suksesshme të karrierës së tij. Me klubin nga Birmingham ai zhvilloi 229 ndeshje në kampionat dhe ishte titullar në të gjitha ndeshjet e fushatës së Aston Villas drejt triumfit në Kupën e Europës në vitin 1982.
Në finalen ndaj Bayern Munich, Rimmer luajti vetëm në nëntë minutat e para përpara se të zëvendësohej. Në total, portieri anglez pati një karrierë prej më shumë se 20 vitesh në nivelet e larta të futbollit. Ai regjistroi gjithashtu rreth 150 paraqitje me Arsenalin. Pas largimit nga Aston Villa në vitin 1983, Rimmer vazhdoi karrierën te Swansea City për tre sezone, ndërsa në vitin 1986 pati aventura të shkurtra me Hamrun Spartans në Maltë dhe Luton Town.
Aston Villa dhe Manchester United kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e ish-portierit. Ish-shoku i tij i skuadrës te Manchester United, Alex Stepney, reagoi gjithashtu pas lajmit, duke shprehur trishtimin për ndarjen nga jeta të Rimmer. Vetëm një ditë më parë, Stepney kishte bërë me dije se ish-partneri i tij në portë nuk ishte në gjendje të mirë pas një rrëzimi. Jimmy Rimmer mbetet një prej futbollistëve të rrallë që ka qenë pjesë e dy skuadrave angleze fituese të Kupës së Europës, Manchester United në vitin 1968 dhe Aston Villa në vitin 1982.


