Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, D.A. dhe A.A., të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në marketin e pompës së derivateve “Hib Petrol” në Ferizaj.
Në kërkesën për caktimin e paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe së bashku me një të mitur, kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh.
“Pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh., e cila kishte ndodhur rreth një vit më parë në Zvicër, me t’u takuar ditën kritike, fillimisht e përcjellin me veturë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, pasi i dëmtuari ka hyrë në market, të dyshuarit kanë dalë nga vetura. D.A. dyshohet se ka nxjerrë nga xhepi një mjet të mprehtë – thikë, me të cilën e ka goditur A.Sh. në pjesën e majtë të abdomenit.
Ndërkohë, A.A. dyshohet se e ka goditur të dëmtuarin me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i mituri, sipas Prokurorisë, e ka goditur me një shkop druri.
Si pasojë e sulmit, i dëmtuari ka kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Prokuroria thotë se veprimet e të dyshuarve dyshohet se përbëjnë veprën penale “Vrasja në tentativë”, nga neni 172, lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Duke pasur parasysh dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, thuhet në njoftim.
Dy të dyshuarit, që nga 13 gushti 2026, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa vendimin për kërkesën për paraburgim pritet ta marrë Gjykata Themelore në Ferizaj.


