Napoli dhe Romelu Lukaku kanë vendosur t’i ndajnë rrugët, me sulmuesin belg që pritet të transferohet te Fenerbahçe për një shumë prej 7 milionë eurosh.
Për të zhbllokuar operacionin u desh ndërhyrja direkte e presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis.
Kontaktet e vazhdueshme të tij me agjentin e Lukakut, Ledure, si dhe me drejtuesit e klubit turk, kanë sjellë marrëveshjen e shumëpritur.
Lukaku kishte dhënë më herët “po”-në e tij për një kontratë njëvjeçare me Fenerbahçen, me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër. Sulmuesi belg do të përfitojë rreth 10 milionë euro në sezon.
Tashmë edhe klubet kanë arritur marrëveshjen, e cila mbetet e kushtëzuar nga rezultatet e testeve mjekësore.
Largimi i “Big Rom” pritet t’i japë Napolit mundësinë për të lëvizur më lirshëm në afatin kalimtar.
Megjithatë, objektivi kryesor i klubit italian për momentin nuk është Gabriel Jesus, pavarësisht dëshirës së brazilianit për t’u larguar nga Arsenali dhe gatishmërisë së tij për t’iu bashkuar Napolit.
Dëmtimet e Marianuccit dhe Alessandro Buongiornos kanë ndryshuar prioritetet e drejtuesve napolitanë, të cilët tashmë kërkojnë me urgjencë një përforcim në repartin defensiv.
Në krye të listës është mbrojtësi i Chelseat, Benoit Badiashile, për të cilin Napoli synon ta mbyllë sa më shpejt operacionin.
Ndërkohë, Lukaku nuk është i vetmi lojtar që mund të largohet nga “Diego Armando Maradona”.
Edhe Noa Lang duket se është pranë largimit, me Ajaxin që ka shfaqur interes për sulmuesin holandez.
Një largim i mundshëm i Gonçalo Ramos drejt PSG-së mund të ndihmojë në zhbllokimin e këtij operacioni.
Napoli është i gatshëm ta sakrifikojë Langun nëse mbërrin oferta e duhur, ndërsa për momentin nuk ka oferta konkrete për Lorenzo Luccan.




