Pavarësisht masakrës së ushtruar, presidenti i atëhershëm, Kiro Gligorov, i mohoi motivet ndëretnike të ngjarjeve, duke i cilësuar ato si rezultat i atmosferës së tensionuar ndaj Maqedonisë dhe bllokadave ndërkombëtare, ndërsa demonstruesit shqiptarë i quajti “elementë ekstremistë” që, sipas tij, shfrytëzuan situatën për të nxitur trazira

Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Nga ngjarjet tragjike të Bit Pazarit, rezulton se policia maqedonase vrau katër persona – tre shqiptarë dhe një grua maqedonase – ndërsa plagosi së paku 16 të tjerë. Numri i të plagosurve mund të ketë qenë edhe më i madh, duke pasur parasysh se disa nga të plagosurit nuk u paraqitën në spitalet shtetërore për shkak të mosbesimit ndaj personelit mjekësor maqedonas. Përveç kësaj, gjatë këtyre ngjarjeve, disa qindra shqiptarë u rrahën dhe u maltretuan nga policia. Nga ata, 128 persona u arrestuan dhe u privuan nga liria, prej të cilëve 84 u dënuan me nga 30 ditë burgim. Ndërsa ndaj 4 të miturve u shqiptuan dënime me gjobë, ndaj 28 të tjerëve u ngritën padi penale.
Është me rëndësi të theksohet se gjatë operacionit të 6-7 nëntorit, policia përdori gjithsej 3182 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 483 mjete kimike, përfshi granata lotsjellëse dhe bomba tymi të tipave AF-1, RMV-1, RMB-1 dhe AG-1. Sipas MPB-së, ky arsenal ishte i “arsyeshëm” dhe brenda “kornizave ligjore”, bazuar në nenin 58 të Ligjit për Punë të Brendshme dhe rregulloret për punën e Shërbimit të Sigurisë Publike. Ndërkohë, Forumi Demokratik për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Maqedoni e kualifikoi këtë ndërhyrje si shkelje të rëndë penale, në kundërshtim me nenin 231 dhe nenin 43 të Kodit Penal të Maqedonisë.

Pavarësisht masakrës së ushtruar, presidenti i atëhershëm, Kiro Gligorov, i mohoi motivet ndëretnike të ngjarjeve, duke i cilësuar ato si rezultat i atmosferës së tensionuar ndaj Maqedonisë dhe bllokadave ndërkombëtare, ndërsa demonstruesit shqiptarë i quajti “elementë ekstremistë” që, sipas tij, shfrytëzuan situatën për të nxitur trazira.
Ngjarjet e Bit Pazarit shkaktuan reagime të fuqishme nga partitë politike dhe shoqëria civile shqiptare në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Reagimi i parë erdhi nga Partia Demokratike Popullore, e cila, përmes Këshillit Drejtues më 7 nëntor 1992, dënoi dhunën policore dhe e cilësoi atë si shenjë e një shteti me karakter totalitar. Bashkësia Islame e Maqedonisë i cilësoi këto ngjarje si provokim të qëllimshëm ndaj shqiptarëve, me synim nxitjen e një konflikti të hapur etnik. Ndërsa, kryetari i Forumit Demokratik për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, Milaim Fejziu, theksoi se policia kishte tejkaluar jo vetëm kompetencat, por kishte keqpërdorur rëndë pushtetin, duke vrarë njerëz të pafajshëm dhe duke terrorizuar popullsinë civile shqiptare.

Me rastin e ngjarjeve tragjike në Bit Pazar, reagoi edhe Qeveria shqiptare, e cila, përmes zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shprehu shqetësimin dhe protestoi në mënyrën më energjike të mundshme ndaj veprimit të policisë maqedonase, duke e cilësuar atë si antidemokratik dhe në kundërshtim me rrjedhat demokratike në Evropë e më gjerë. Më 11 nëntor 1992, në Vjenë, Shqipëria protestoi gjithashtu në Forumin e KSBE-së për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për shkak të ngjarjeve të Bit Pazarit në Shkup. Sipas vlerësimit të delegacionit shqiptar, dhuna e ushtruar nga autoritetet maqedonase kishte shkelur të drejtat e shqiptarëve në ish-republikën jugosllave. Shefi i delegacionit, Zef Mazi, e cilësoi këtë si një akt antidemokratik, që vinte në kundërshtim me tendencat drejt demokracisë në Evropë, duke kërkuar nga Forumi ndërhyrje që Maqedonia të respektojë parimet e KSBE-së.

Dhuna policore në Shkup u dënua ashpër nga i gjithë spektri politik dhe shtetëror kosovar i asaj kohe. Lidhja Demokratike e Kosovës, në një kumtesë të menjëhershme, deklaroi se “ndërhyrja brutale e policisë maqedonase në Bit Pazar”, me një bilanc tragjik prej katër të vrarëve dhe dhjetëra të arrestuar e të dënuar, “është një pasqyrim i dhunës së planifikuar që aplikohet sistematikisht ndaj shqiptarëve në Maqedoni”. Sipas LDK-së, përmes këtyre ngjarjeve u synua ndëshkimi i shqiptarëve, të cilët gjithnjë kishin kërkuar zgjidhjen e problemeve të tyre nëpërmjet dialogut dhe mjeteve demokratike, duke kontribuar aktivisht për stabilitetin e Maqedonisë dhe të rajonit. Në këtë frymë ishin edhe reagimet e partive të tjera shqiptare në Kosovë.

Ngjarjet e Bit Pazarit shkaktuan një krizë dhe përçarje të thellë në radhët e subjektit më të madh politik shqiptar në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD). Kjo parti reagoi në mënyrë të vonuar dhe gjysmë zyrtare katër ditë pas ngjarjeve, më 10 nëntor 1992, kur në selinë e degës Qendër në Shkup u mbajt një konferencë për shtyp e drejtuar nga kryetari Nevzat Halili. Ai deklaroi se PPD “nuk i arsyeton veprimet e vrazhda”, por si shkak për shpërthimin e dhunës përmendi “sjelljen brutale ndaj të miturit Ali Sejdiu nga Shkupi”. Halili shtoi se PPD-ja kishte ofruar bashkëpunim qysh në fillim me Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, por “ishim pritur shumë keq”. Sidoqoftë, ai shprehu bindjen se “me dialog, përfshirje të të gjitha partive, pa dallim kombësie, dhe me funksionimin e shtetit juridik” – përfshirë edhe “pranimin nga MPB-ja se janë tejkaluar kompetencat zyrtare” – ngjarje të tilla mund të shmangeshin.
Ky qëndrim, veçanërisht pjesa ku lideri i një partie që ishte pjesë e Qeverisë ankohej për “pritje të keqe” nga Qeveria dhe MPB-ja e vet, dëshmonte qartazi për krizën e thellë brenda strukturave drejtuese të PPD-së – në kryesi, grupin parlamentar, si dhe te ministrat e zëvendësministrat e saj. Ishte për të ardhur keq që një parti e cila gjatë viteve 1990-1991 kishte përfshirë thuajse gjithë popullsinë shqiptare në Maqedoni, kishte rënë në pozitën e një “lypsari politik”.

Përçarjet brenda PPD-së kishin nisur që në Kongresin e saj të parë, më 8-9 shkurt 1992, ku u përplasën dy linja kundërthënëse. Linja e parë, e përfaqësuar nga deputetët dhe funksionarët e emëruar në qeveri, mbronte idenë e mbështetjes së pavarësisë së Maqedonisë dhe të përpjekjes për t’i bërë shqiptarët faktor konstituiv në atë shtet. Linja e dytë, e përfaqësuar nga intelektualë, ish të burgosur politikë dhe aktivistë të dalluar, kërkonte realizimin e Autonomisë Politike Territoriale për shqiptarët dhe binacionalitetin e Maqedonisë, përkatësisht federalizimin e saj. Kjo përçarje u thellua pas rënies së Qeverisë së Klusevit dhe formimit të Qeverisë së Branko Cërvenkovskit, në të cilën PPD-ja u bë zyrtarisht pjesë e koalicionit me pesë ministra. Me këtë, triumfoi fraksioni “modernist”, duke i dhënë fund aspiratave për Autonomi. Ministrat formalë të PPD-së, realisht ishin përzgjedhur nga mandatarët e qeverisë, sidomos nga vetë kryeministri Cërvenkovski dhe partia e tij, Lidhja Social Demokrate. Përjashtuar Servet Havziun, të gjithë të tjerët kishin pasur funksione të larta në sistemin komunist dhe në mënyra të ndryshme ishin solidarizuar me politikën antishqiptare të regjimit të mëparshëm. Kësisoj, kjo qeveri nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdimësi e regjimit të vjetër jugosllavo-maqedonas, fatkeqësisht edhe me pjesëmarrjen e partisë më të madhe shqiptare.

Reagimi i parë zyrtar i PPD-së ndodhi vetëm më 12 nëntor 1992, gjashtë ditë pas ngjarjeve, në përfundim të një mbledhjeje të zgjeruar, ku në komunikatën përfundimtare u theksua se tragjedia e Bit Pazarit “nuk kishte të bënte me shqiptarët”, por ishte “skenar i paramenduar për destabilizimin e Maqedonisë dhe për t’i bindur instancat ndërkombëtare se Maqedonia duhej pranuar sa më parë në strukturat evropiane, sepse shqiptarët po pengonin këtë proces”. Edhe në këtë rast, PPD-ja nuk kërkoi dorëheqjen apo përgjegjësinë e ministrit të Brendshëm, Lubomir Fërçkovski, por deklaroi se do të kërkonte “ndriçimin e plotë të rastit nga deputetët dhe ministrat e saj në Qeveri”.
Pikërisht këta ministra të PPD-së, në mbledhjen urgjente të Qeverisë së Maqedonisë, të mbajtur më 7 nëntor 1992, pranuan propozimin e kryeministrit Branko Cërvenkovski, që për ngjarjet e Bit Pazarit, në emër të Qeverisë – pra, edhe në emër të tyre – të fliste para mediumeve vendore dhe ndërkombëtare ministri i Brendshëm, Lubomir Fërçkovski. Ky i fundit, po atë mbrëmje, deklaroi për gazetarët se ngjarjet e Bit Pazarit qenë “të organizuara” nga shtetas të huaj, konkretisht nga Kosova dhe Shqipëria.

Në debatin që u zhvillua në këtë mbledhje qeveritare, edhe pse në pamje të parë ministrat shqiptarë jepnin përshtypjen se mbronin interesat e popullit shqiptar, në thelb ata vepronin në përputhje të plotë me vijën politike të udhëheqjes maqedonase të asaj kohe – konkretisht treshes së njohur Gligorov-Cërvenkovski-Fërçkovski – e cila konsiderohet si hartuese e të gjitha skenarëve antishqiptare gjatë viteve 1990-1994. Këto skenarë përfshijnë ngjarjet e Shkupit, Dibrës, Ladorishtit, Bit Pazarit, Aferës së armëve dhe represionin brutal ndaj Universitetit të Tetovës.
Debati parlamentar për ngjarjet e Bit Pazarit u zhvillua me një vonesë prej gjashtë muajsh, më 27 dhe 28 prill 1993. Nga stenogramet e këtij debati shihet qartazi përçarja e thellë brenda përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend. Prej gjithsej 22 deputetëve shqiptarë (deputeti i 23-të, Shukri Rrahimi, ende nuk e kishte marrë mandatin zyrtarisht), 20 morën pjesë aktive në diskutim. Nuk dihet pse munguan në debat koordinatori i Grupit parlamentar të PPD-PDP-së, Muhamet Halili, dhe deputeti Vebi Xhemaili.

Po të analizohen me kujdes fjalimet e deputetëve shqiptarë, dallohet qartësisht mungesa e unitetit. Disa prej tyre shkonin deri aty sa ministrin Fërçkovski e shpallnin si “viktimë” të ngjarjeve, duke pohuar se “i gjithë aksioni policor ishte kryer pa dijeninë dhe urdhrin e tij”. Ata propozuan disa projekt-konkluzione tejet të zbehta, ku thuhej: “Kuvendi vlerëson se me rastin e ndërhyrjes së policisë në tregun e Bit Pazarit më 6 nëntor 1992, disa pjesëtarë të policisë i kanë tejkaluar kompetencat. Ministria e Punëve të Brendshme të marrë masa ndaj personave përkatës”.
Pra, sipas tyre, ngjarjet nuk ishin pjesë e një skenari të organizuar nga vetë ministri Fërçkovski dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, por “veprime të izoluara” të disa policëve që kishin tejkaluar autorizimet. Kundër këtyre projekt-konkluzioneve dolën disa deputetë shqiptarë, si Xhelil Tahiri, Avdi Murtezani, Hysni Shaqiri, Zudi Emini, Mersim Pollozhani dhe të tjerë, të cilët kërkuan miratimin e një qëndrimi më të fortë dhe më përfaqësues për atë që kishte ndodhur. Megjithatë, asnjëri nga grupet nuk mori guximin të kërkonte dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, i cili mbante përgjegjësinë kryesore për atë tragjedi. Këtë mungesë reagimi ua kujtoi edhe lideri i opozitës së atëhershme maqedonase, Lubço Georgievski, i cili në fjalën e tij deklaroi se PPD-ja, për të dëshmuar sinqeritetin e saj dhe për të ruajtur kredibilitetin ndaj votuesve shqiptarë dhe opinionit të gjerë publik, kishte tre mundësi: “Të tërhiqte ministrat nga Qeveria; të kërkonte rikonstruimin e Qeverisë; të kërkonte interpelancën e ministrit të Brendshëm”. Asnjëra nga këto nuk ndodhi. Madje, asnjë ministër, deputet apo përfaqësues i lartë i PPD-së nuk dha dorëheqje, qoftë edhe në mënyrë simbolike, në shenjë proteste për dhunën shtetërore ndaj popullatës shqiptare të Shkupit.

Në vend të një reagimi të tillë, u krijua një Komision i Përkohshëm Anketues, i drejtuar nga deputeti Ismet Ramadani, i cili nuk arriti të mbante asnjë mbledhje të rregullt. Si rrjedhojë, tragjedia e Bit Pazarit jo vetëm që nuk u zbardh, por u la në harresë për një kohë të gjatë. Për mosinteresimin e udhëheqjes së PPD-së për zbardhjen e kësaj ngjarjeje flet edhe fakti që fondi i fotografive dokumentare të hartuar nga aktivisti i mirënjohur Refki Berisha – që dëshmonte dhunën policore të datave 6-7 nëntor 1992 – qëndroi për vite në sirtarët e zyrës së kësaj partie në Shkup. Ky fond rrezikonte të zhdukej, po të mos ishte përkujdesi dhe përkushtimi i mësuesit Qazim Qazimi, i cili e mori dhe e ruajti për 30 vite në shtëpinë e tij.
(Fund)





