Aktori i njohur amerikan George Clooney do të marrë çmimin prestigjioz “Luani i Artë” për Arritje Jetësore në edicionin e ardhshëm të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në botën e kinemasë. Marrëdhënia e Clooney-t me festivalin daton prej vitit 1998, kur ai mori pjesë për herë të parë me filmin “Out of Sight”. Që atëherë, ai është bërë një nga figurat më të njohura të ekranit të madh, si aktor, regjisor dhe producent.
Drejtori artistik i festivalit, Alberto Barbera, e cilësoi Clooney-n si një artist me ndikim të jashtëzakonshëm në kinemanë moderne, duke vlerësuar karrierën e tij shumëdimensionale dhe rolin që ka luajtur në zhvillimin e filmit bashkëkohor. Vetë aktori e priti me humor lajmin e këtij vlerësimi.
“Kam përjetuar shumë momente të paharrueshme në Venecia. Ky është festivali im i preferuar dhe marrja e ‘Luanit të Artë’ është një nder i madh. Ndoshta kjo do të thotë edhe se jam plakur, por e pranoj me kënaqësi,” u shpreh Clooney. Ceremonia e ndarjes së çmimit do të zhvillohet gjatë Festivalit të Filmit në Venecia, i cili këtë vit do të mbahet nga 2 deri më 12 shtator.
George Clooney dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, ishin ndër emrat më të komentuar në eventin gala për 50-vjetorin e The King’s Trust në Royal Albert Hall, ku aktori ndau edhe një histori argëtuese nga ditëlindja e tij e fundit. Aktori hollivudian zbuloi se Amal kishte organizuar një surprizë speciale për 65-vjetorin e tij, duke përfshirë edhe disa nga miqtë e afërt të çiftit. Sipas Amal, gjithçka ishte menduar në detaje, por George nuk humbi rastin për ta kthyer momentin në humor.
“Ata u shfaqën të maskuar si kamerierë,” tregoi ai me të qeshur, ndërsa shtoi se surpriza të tilla mund të jenë “paksa të rrezikshme” në moshën e tij. “Në 65 vjeç nuk është ide e mirë të trembësh dikë papritur. Mund të përfundosh i shtrirë në tokë,” tha aktori me batutë, duke vazhduar: “Fatmirësisht ende po mbahem në këmbë.”





