Diaspora mund të fitojë një mënyrë më të lehtë për të votuar në zgjedhjet parlamentare: elektronikisht ose me postë. Por, para se kjo të bëhet realitet, shteti duhet t’i përgjigjet pyetjes më të rëndësishme: kush dhe si do ta garantojë fshehtësinë, sigurinë dhe besueshmërinë e çdo vote?
Deri më tani, votimi i diasporës në zgjedhjet parlamentare zhvillohej përmes ambasadave dhe konsullatave – me paraqitje personale, udhëtime, shpenzime dhe shpesh me pjesëmarrje të ulët. Tani, qeveria po hap rrugën për një model të ri: votim elektronik ose votim me postë.
Por pikërisht këtu lind edhe çështja më e ndjeshme e reformës zgjedhore: a ka Maqedonia sistemin, kapacitetin, mekanizmat e kontrollit dhe besimin institucional për të lejuar votimin jashtë qendrave të votimit?
Idenë e ka prezantuar kryeministri Hristijan Mickoski, i cili ka bërë thirrje që në Kodin Zgjedhor të gjendet një zgjidhje që shtetasit maqedonas që jetojnë jashtë vendit të mund të votojnë më lehtë në zgjedhjet parlamentare.
Sipas tij, synimi është rritja e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje, në mënyrë që e drejta e votës të mos varet nga distanca që një qytetar ka deri te ambasada apo konsullata më e afërt.
Pikërisht për këtë arsye po shtrohet dilema nëse shteti duhet të shkojë një hap më tej – drejt votimit elektronik ose votimit me postë. Por me këtë dilemë vjen edhe pyetja më e vështirë: si do të garantohet që çdo votë të jetë personale, e fshehtë, e verifikueshme dhe e mbrojtur nga keqpërdorimet?
LSDM paralajmëron për “grabitje zgjedhore”
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se lehtësimi i votimit për diasporën duhet të jetë pjesë e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor. Ai theksoi se diaspora duhet të ndihet e lidhur me atdheun dhe se duhet të gjendet një model që do ta bëjë procesin e votimit më të thjeshtë.
“Nuk është me rëndësi nëse do të jetë elektronik apo me postë”, deklaroi Mickoski, duke bërë thirrje që të gjendet një praktikë që do t’u mundësojë mërgimtarëve ta ushtrojnë më lehtë të drejtën e votës.
Argumenti i qeverisë është se modeli aktual i vendos mërgimtarët në pozitë të vështirë, veçanërisht në shtete dhe kontinente ku përfaqësitë diplomatike-konsullore të Maqedonisë ndodhen qindra apo mijëra kilometra larg votuesve. Sipas qeverisë, pjesëmarrja e ulët e diasporës është dëshmi se sistemi aktual nuk e përmbush qëllimin e tij.
Nga ana tjetër, LSDM-ja thekson se nuk është kundër votimit të diasporës, por kundër mënyrës se si propozohet të zbatohet modeli i ri.
Deputetja Sanja Llukarevska deklaroi se LSDM nuk do të mbështesë ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa garanci të qarta ligjore dhe të sigurisë.
Ajo kërkoi që fillimisht të miratohet një ligj për votimin elektronik, ku të përcaktohen procedurat, standardet e sigurisë, mekanizmat e kontrollit, roli i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe të gjitha elementet e tjera të procesit.
Llukarevska paralajmëroi se, sipas LSDM-së, zgjidhja e propozuar nuk përmban mekanizma të mjaftueshëm për mbrojtjen e procesit zgjedhor. Ajo kërkoi fillimisht zbatimin e një projekti pilot, me verifikimin e standardeve të sigurisë dhe të serverëve të pavarur, përpara se votimi elektronik të mund të aplikohet deri në vitin 2029.
A ka shteti kapacitet?
Analisti politik Petar Arsovski, në një prononcim për “Sloboden Peçat”, vlerëson se organizimi i votimit të diasporës nga distanca nuk është i pamundur, por çështja kyçe është se si shteti do ta garantojë fshehtësinë, sigurinë dhe paprekshmërinë e votës.
Ai thekson se në disa vende tashmë ekzistojnë modele të votimit nga distanca. Si shembull përmend Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në disa shtete federale një pjesë e madhe e qytetarëve votojnë me postë, por kujton se atje funksionon edhe një sistem i mirëfilltë regjistrimi i votuesve.
Arsovski thotë se diaspora ka të drejtë vote, pasi këta qytetarë figurojnë në Listën Zgjedhore, ndaj shteti duhet të gjejë një mënyrë që ata ta ushtrojnë këtë të drejtë pa qenë të detyruar të udhëtojnë mijëra kilometra.
Sipas tij, Maqedonia, si shtet i vogël, teknikisht mund të shqyrtojë një model të tillë, por dilema mbetet nëse institucionet kanë kapacitet për ta zbatuar pa rrezik keqpërdorimesh.
“Maqedonia është një vend i vogël dhe nuk ka shumë vendvotime. Mund të organizohet edhe votimi elektronik para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Por pyetja është nëse kemi kapacitet ta realizojmë këtë”, tha Arsovski, përcjell PressOnline.al
Sa i përket kritikave të opozitës se vendi nuk është gati për votimin elektronik dhe se ekziston rreziku i manipulimeve, Arsovski thotë se një vlerësim i tillë nuk mund të bëhet derisa Qeveria të prezantojë një model konkret.
“Nuk kemi parë ende se si Qeveria planifikon ta organizojë këtë proces. Deri tani kemi vetëm një vullnet politik që diasporës t’i mundësohet votimi elektronik për të shmangur udhëtimet. Le të propozohet mekanizmi konkret që do të garantojë fshehtësinë dhe paprekshmërinë e votës, e më pas mund të vlerësojmë nëse janë adresuar dilemat”, tha ai.
Një parim demokratik
Profesori universitar Jove Kekenovski vlerëson se e drejta e diasporës për të votuar nuk duhet të trajtohet si çështje partiake, por si një parim themelor demokratik. Sipas tij, e drejta e votës buron nga shtetësia dhe jo nga vendbanimi.
“Demokracia nuk përfundon në kufirin shtetëror”, thekson Kekenovski, duke shtuar se shteti ka detyrimin t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të tij ta ushtrojnë të drejtën e votës realisht dhe jo vetëm formalisht.
Sipas tij, Maqedonia duhet të shqyrtojë modelet bashkëkohore, si votimi elektronik, votimi me postë ose një kombinim i mekanizmave të provuar, por gjithmonë duke respektuar standarde të larta të sigurisë, mbrojtjes së të dhënave personale dhe identifikimit të besueshëm.
“Mërgimtarët nuk duhet të shihen vetëm si një burim ekonomik, por si pjesë e potencialit kombëtar, njerëzor, intelektual, ekonomik dhe kulturor të shtetit”, thekson ai, përcjell PressOnline.al
Kekenovski nuk i përjashton rreziqet e votimit elektronik apo me postë, por beson se ato duhet të adresohen përmes debatit profesional, transparencës, kontrollit dhe mekanizmave të qartë, e jo me refuzimin paraprak të idesë.
“Sloboden Peçat” kërkoi qëndrim edhe nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) për të ditur nëse institucioni ka kapacitetet teknike dhe bazën ligjore për futjen e votimit elektronik ose me postë për diasporën. Megjithatë, nga KSHZ nuk mori përgjigje. As kryetari Bojan Mariçiq dhe as anëtarët e tjerë të Komisionit nuk ishin të disponueshëm për koment.
Estonia si model referues
Në debatin për votimin elektronik, më së shpeshti përmendet Estonia, një nga vendet e rralla evropiane ku votimi përmes internetit është bërë praktikë e rregullt zgjedhore.
Kolumnisti Ivica Çelikoviq kujton se sistemi përdoret që nga viti 2005 dhe se të drejtën për të votuar online e kanë si qytetarët që jetojnë në vend, ashtu edhe ata në diasporë.
Në zgjedhjet parlamentare estoneze të vitit 2023, shkruan Çelikoviq në kolumnën e tij më të fundit, më shumë se gjysma e votave u hodhën në mënyrë elektronike.
Megjithatë, ai nuk e paraqet modelin estonez si një aplikacion të thjeshtë votimi, por si një sistem të ndërtuar mbi identifikimin digjital, një kornizë të qartë ligjore, mbrojtje teknologjike dhe besim të lartë në institucione.
Sipas tij, votuesi estonez përdor kompjuter, letërnjoftim elektronik me certifikata digjitale, kode PIN, lexues të kartës ose identifikim përmes telefonit mobil. Kështu konfirmohet identiteti i votuesit dhe minimizohet mundësia që dikush tjetër të votojë në emrin e tij.
Një nga mekanizmat kyç është mundësia për ta ndryshuar votën elektronike. Nëse votuesi ka qenë nën presion, ai mund të hyjë sërish në sistem dhe të votojë përsëri. Në modelin estonez merret në konsideratë vetëm vota e fundit elektronike, ndërsa nëse qytetari më pas voton fizikisht në qendrën e votimit, vota fizike e anulon atë elektronike.
Çelikoviq shpjegon se Estonia përdor edhe një ekuivalent digjital të sistemit me dy zarfe: pjesa e parë shërben për verifikimin e identitetit, ndërsa pjesa e dytë përmban vetë votën. Pas verifikimit, identiteti ndahet nga vota, ndërsa votat numërohen si anonime dhe të koduara.
Megjithatë, ai thekson se edhe modeli estonez nuk është pa rreziqe. Duke iu referuar studimeve të pavarura dhe skepticizmit të një pjese të ekspertëve ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike, ai vëren se teorikisht një program i sofistikuar keqdashës mund të ndikojë në kompjuterët e votuesve ose në infrastrukturën zgjedhore.
Pavarësisht këtyre rreziqeve, Estonia nuk ka hequr dorë nga modeli i saj. Sipas Çelikoviqit, vendi ka arritur të ndërtojë “një kombinim unik të zgjidhjeve teknike, ligjore dhe shoqërore”, duke e vendosur besimin publik si kushtin themelor për funksionimin e votimit elektronik.(PressOnline.al)





