Ish-aktorja Raquel Lee Bolleau ka ngritur një padi kundër “The Walt Disney Company”, duke pretenduar se është abuzuar dhe përdhunuar seksualisht disa herë kur ishte vetëm 14 vjeçe dhe po xhironte filmin “The Poof Point”.
Sipas padisë, e dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, Bolleau akuzon një punonjës të Disneyt, i identifikuar në dokumente si “John Doe”, se i siguronte alkool dhe ushtronte presion ndaj saj që ta konsumonte.
Ajo pretendon se më pas punonjësi e kishte sulmuar dhe përdhunuar seksualisht në mënyrë të përsëritur.
Sipas dokumenteve, i dyshuari i kishte thënë asaj:
Je mjaftueshëm e rritur. Mund ta përballosh
Kjo, pavarësisht se ajo ishte e mitur.
Bolleau pretendon gjithashtu se sjellja e punonjësit ishte e dukshme për disa prej të rriturve në set dhe se ambienti i produksionit nuk garantonte sigurinë e saj si e mitur.
Në padi, aktorja akuzon Disney-n se nuk e kishte mbrojtur nga abuzimi dhe se kishte dështuar në detyrimet e tij për të garantuar një ambient të sigurt për fëmijët që merrnin pjesë në produksion.
Ajo pretendon gjithashtu se regjisori i filmit dhe trajneri i dialogut të Disneyt i kishin kërkuar të “ndërtonte një marrëdhënie dhe të kalonte kohë” me personin që ajo akuzon.
Raquel Lee Bolleau është e njohur për rolet në “Malcolm & Eddie”, “The Amanda Show” dhe “Double Dare 2000”.
Deri tani, Disney nuk ka dhënë një koment zyrtar lidhur me padinë.
Akuzat mbeten pretendime të paraqitura në kuadër të një procesi gjyqësor dhe nuk përbëjnë një vendim gjykate.


