Komisioni për Kulturë dhe Turizëm diskuton për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase

featured
Press Online
06 Korrik 2026, 10:33

Komisioni për Kulturë dhe Turizëm në Kuvend do të mbajë sot një seancë mbikëqyrëse kushtuar zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, me fokus në problemet dhe sfidat që shfaqen gjatë zbatimit të tij në praktikë.

Në seancë janë ftuar përfaqësues të institucioneve kompetente, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës së gjuhës maqedonase. Mes tyre janë ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, drejtoresha e Inspektoratit për Gjuhën Maqedonase, Mençe Andreeva, ish-kryetarja e Këshillit për Gjuhën Maqedonase, Simona Gruevska-Maxhoska, kryetarja e Shoqatës së Lektorëve të Maqedonisë, Elizabeta Bandillovska, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik dhe institucioneve që merren me mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës maqedonase.

Seancën do ta hapë dhe do ta mbyllë me fjalën e saj kryetarja e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, Saranda Imeri-Stafai.

Gjatë debatit, anëtarët e Komisionit dhe deputetët e tjerë do të kenë mundësi t’u parashtrojnë pyetje të ftuarve, me qëllim të vlerësimit të mënyrës së zbatimit të dispozitave ligjore dhe identifikimit të sfidave me të cilat përballen institucionet.

Pas përfundimit të seancës, Komisioni do të hartojë një raport që do t’i dorëzohet Kuvendit. Nëse vlerësohet e nevojshme, do të propozohen edhe konkluzione që do t’i dërgohen Qeverisë për veprime të mëtejshme.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter