Kur i gjithë aparati ushtarak zbarkoi në Bit Pazar! E vërteta mbi ngjarjet e vitit 1992 (3)

featured
Press Online
04 Korrik 2026, 23:08

Përveç provokatorëve që ishin futur brenda demonstruesve shqiptarë, pati edhe gjuajtje nga qytetarë maqedonas, nga banesat dhe ndërtesat e afërta, që dyshohej se një pjesë e tyre ishin oficerë të ish Armatës jugosllave. Këtë, pa dashje, e pranoi edhe vetë ministri Fërçkovski, i cili në fjalimin e mbajtur në mbledhjen e 14 të jashtëzakonshme të Qeverisë, tha se, sipas të gjitha gjasave, “pati të shtëna edhe nga ndërtesat e oficerëve”, të cilët siç u shpreh ai “e kanë shfrytëzuar momentin për t’i kënaqur nevojat e tyre patologjike”

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Në mesin e të arrestuarve të parë ishin tre qytetarë nga fshati Hasanbeg: Isni Ibrahimi, Shaban Idrizi dhe Nazmi Muharremi. Ata u arrestuan në hyrje të lagjes “Gazi Babë”, në afërsi të urës së Bit Pazarit, pasi u ndaluan nga dhjetëra pjesëtarë të njësive speciale të policisë. Pasi u legjitimuan, u privuan nga liria dhe u dërguan në Stacionin Policor të Bit Pazarit, ku u vendosën në një qeli të vogël në podrum. Aty, siç rrëfen Isniu, më vonë u sollën edhe rreth 20 të arrestuar të tjerë, të cilët u rrahën dhe u torturuan deri në alivanosje.

Ndërkohë, policia maqedonase, brenda në Çarshinë e Shkupit, në afërsi të ish-kinemasë “Napredok” – sot Teatri për Fëmijë – arrestoi edhe Naim Saliun nga fshati Luboten, i cili ishte ndër të parët që iu bashkua demonstratave. Veprimet e policisë ndaj tij, siç rrëfen vetë ai, kanë qenë jashtëzakonisht brutale dhe çnjerëzore. Pasi e detyruan të shtrihej barkas, njëri nga policët i hipi mbi shpinë dhe e detyroi të ngrinte këmbët lart. Qëndroi mbi të në atë pozicion, ndërkohë që i binte me shkop gome në shputat e këmbëve. “Kjo mënyrë torturimi, – kujton Naimi, – zgjati disa minuta, derisa nuk mund të duroja më. Më pas, njëri prej tyre më kapej për flokë, më ngrinte lart, me qëllim që gjaku të rridhte kah këmbët. Kështu vepruan 7-8 herë. Në fund, të tre policët më goditnin me grushte. Isha i rraskapitur nga torturat. Kur më grushtonte njëri, rrëzohesha në drejtim të tjetrit, i cili më kapte për flokë, më ngrinte në këmbë dhe më grushtonte përsëri në drejtim të një tjetri. Kjo zgjati derisa e shfrynë gjithë mllefin e tyre, atë mllef të trashëguar brez pas brezi ndaj popullit tonë paqedashës…”. Ai, ashtu si edhe të arrestuarit e tjerë që kanë pranuar të rrëfejnë për dhunën dhe torturat e përjetuara nga policia maqedonase, përshkruan një sjellje jashtëzakonisht brutale dhe shtazarake, e cila vinte veçanërisht në shprehje në momentin kur të arrestuarit dërgoheshin në Stacionin Policor të Bit Pazarit.

Dhuna dhe tortura policore u shfaqën në mënyrë edhe më ekstreme pas orës 20:00, kur policia aktivizoi të gjithë aparatin e saj ushtarak në mënyrë të pakontrolluar, duke gjuajtur mbi turmën dhe nëpër shtëpitë e banorëve, si dhe duke hedhur gaz lotsjellës, bomba të tymosura e mjete të tjera shpërthyese. Gjatë marshimit të forcave policore nëpër lagjet e Seravës dhe të Gazi Babës, u arrestuan dhjetëra shqiptarë. Shumë prej tyre u nxorën me dhunë nga shtëpitë dhe u dërguan te parku pranë urës së Bit Pazarit. Gjatë rrugës ata u rrahën dhe u torturuan në mënyrë barbare, aq sa një pjesë e tyre humbi edhe vetëdijen. Ndër të arrestuarit ishin edhe dy vëllezër nga fshati Dobrinë e Karshiakës së Shkupit, Bafti dhe Haxhbi Limani, të cilët, në momentin e arrestimit, po shkarkonin dru në shtëpinë e arsimtarit Jonuz Zyberi, në rrugën “Mesta”, afër çerdhes “Fidani”. Siç dëshmon vëllai i tyre më i vogël, Xheladini, gjithsej kanë qenë rreth 15 policë, të cilët ndërmjet veti komunikonin në gjuhën serbe. Vëllezërit Limani u morën me forcë nga policia dhe u dërguan deri te parku pranë urës së Bit Pazarit.

“Gjatë tërë rrugës, – rrëfen Xheladini, – ata përjetuan një dhunë dhe torturë të papërshkrueshme”. Lidhur me këtë ngjarje, gazeta “Flaka e Vëllazërimit”, më 11 nëntor 1992, botoi artikullin të titulluar “Policia u dha dru druvarëve”, në të cilën thuhej se dy vëllezërit, Bafti dhe Axhbi Limani kur u ndez “cigarja” e policisë ishin duke shkarkuar dru te Jonuz Zyberi, në rr. “Mesta”.

Adnan Jusuf

Përveç tyre, u arrestua edhe arsimtari Jonuz Zyberi, të cilin policia e nxori me forcë nga shtëpia së bashku me babanë e tij tashmë të ndjerë, Qamilin, i cili atë kohë ishte 82 vjeç. Fqinjët e tyre u mbajtën të mbështetur për muri.

“Të gjithë ne që ishim të mbështetur për muri”, rrëfen Jonuzi, “na morën dhe na dërguan te parku pranë urës së Bit Pazarit. Aty na shtrinë në tokë. Përveç nesh, aty kishte edhe një numër të madh banorësh nga lagjja Gazi Babë, të cilët, si ne, policia speciale i kishte marrë me forcë nga shtëpitë e tyre. Më kujtohet se Veseli (Çupi) kërkoi nga policia që ta lirojnë, sepse nuk ishte mirë me shëndet dhe sapo kishte ardhur nga mjeku. Si kundërpërgjigje, njëri nga policët i goditi me kondakun e automatikut në shpinë. Unë, i shqetësuar për fatin e babait, bërtita zëshëm: ‘Plaku! Plaku…’ Njëri nga policët dëgjoi zërin tim dhe më pyeti ku ishte. Pasi ia tregova, e mori babanë dhe, duke e përplasur me dhunë, i tha: ‘Ik në shtëpi’…”.

Dhoma e shtëpisë së Adem Hysenit ku ka qenë e vendosur Rufadie Bytyqi

Po nga ajo rrugë, u nxorën me dhunë nga shtëpitë e tyre edhe tre vëllezërit Jahja, Isa dhe Shaip Selmani, Vesel Çupi, e shumë të tjerë, të cilët sikurse të parët, edhe këta fillimisht u dërguan te parku i urës së Bit Pazarit, ku u rrahën dhe u torturuan deri në alivanosje, që më pas u dërguan në stacionin policor të Bit Pazarit, duke i vendosur në një qeli të vogël poshtë në podrum, ku kanë qenë edhe dhjetëra shqiptarë të tjerë të rrahur e të maltretuar.

Këtë ngjarje të trishtueshme e rrëfen Vesel Çupi: “Më 6 nëntor 1992, ditë e premte, rreth orës 17:30, isha në shtëpi. Bashkë me mua ishte edhe vëllai im i ndjerë, Demush Çupi. Gjatë një bisede të zakonshme dëgjuam disa të shtëna. Demushi më tha se janë gjuajtje me pushkë automatiku. Dola nga shtëpia, nuk pata kohë të vesh këpucët, prandaj dola me sandale. Për një çast më ndaluan dy policë të maskuar dhe të armatosur me pushkë automatiku. M’i lidhën duart dhe më dërguan te parku pranë urës së Bit Pazarit, ku filluan të më rrihnin me kondakun e automatikut, me çizme dhe me grushte, derisa humba vetëdijen dhe nuk dija se ku ndodhesha. Aty, në park, pashë një grumbull njerëzish të shtrirë për barku, të cilët, ndërsa policia më rrihte mua, më bërtisnin që të shtrihem, përndryshe do të më vrisnin. Më pas kuptova se menjëherë pas ardhjes aty duhet ta kisha shtrirë barkas trupin. Kur u këndella, pashë se më kishin hedhur mbi kokë një kovë me ujë. Pas kësaj më morën dhe më dërguan në Stacionin Policor të Bit Pazarit, ku pashë një numër të madh policësh të maskuar, që komunikonin në gjuhën serbe. Më futën në një qeli në podrum, ku shumë prej nesh ishin të rrahur dhe të torturuar aq shumë, sa nuk mund të qëndronin në këmbë…”.

Hapësira te Ura e Bit Pazarit ku grumbulloheshin të privuarit shqiptarë

Nga kjo rrugë u rrah dhe u torturua edhe tregtari Adnan Jusuf, ndaj të cilit policia gjuajti me armë zjarri në momentin kur po kthehej për në shtëpi. Mirëpo, ai arriti të fshihej pas një kamioni për t’u mbrojtur nga plumbat. Më pas, u arrestua dhe u dërgua mbi urën e Bit Pazarit, ku u rrah dhe u torturua në mënyrë shtazarake.

Po kështu u veprua edhe me Sadik Ismailin, i cili atë natë ishte në punë në çerdhen e atëhershme “Vëllazërim Bashkimi” – tash “Fidani” – si i vetmi shqiptar në atë institucion. Pasi u privua nga liria, policët, shumica prej të cilëve, siç rrëfen ai, flisnin serbisht, filluan ta rrahin dhe ta torturonin në mënyrë të pamëshirshme, deri në alivanosje. Më pas e futën në një kombe policie, ku qëndroi deri në orën 24:00. “Atje, me sytë e mi pashë se merrnin njerëz nëpër shtëpi dhe i fusnin nëpër kombe… Pas mesnate na morën dhe na dërguan në Stacionin Policor të Bit Pazarit. Pasi na futën në podrum, na detyruan të zhvisheshim dhe pastaj na mbështetën për muri. Secilit nga ne, të arrestuarve, i caktoheshin nga tre policë që na rrihnin. Kur lodheshin, zëvendësoheshin nga të tjerët. Ata që alivanoseshin i shkelmonin dhe u hidhnin ujë, pastaj tortura rifillonte….”, thekson, ndër të tjera, Sadik Ismaili në rrëfimin e tij.

Isni Ibrahimi

Për dhunën dhe torturën ndaj Sadik Ismailit dëshmon edhe polici Dilaver Aliu, i cili në rrëfimin e tij thekson: “Pasi e privuan nga liria dhe ia lidhën duart, nga foshnjorja deri te stacioni policor, policët maqedonas e rrahën në mënyrë shtazarake, duke përdorur kondakë automatiku, shkelma, shkop gome, grushte dhe mjete të tjera. Ai u la i alivanosur në stacion, pa asnjë ndihmë mjekësore, edhe pse ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, me plagë të shumta në fytyrë dhe trup…”.

Naim Saliu

Duhet theksuar se policia, në të gjitha informacionet e saj, pretendonte se ishte “e detyruar” të përdorte mjete kimike dhe armë zjarri për t’u mbrojtur nga “gjuajtjet” që gjoja vinin nga demonstruesit. Në të dy informatat e MPB-së, datë 7 dhe 20 nëntor 1992, si dhe në Informatën e Qeverisë së marsit 1993, thuhet se rreth orës 18:00, në hapësirën e mbikalimit, përkatësisht mbi urën e Bit Pazarit, “nga ana e turmës është dëgjuar gjuajtje me pushkë automatike”. Për këtë arsye, policia, për t’i frikësuar demonstruesit, ka qëlluar në ajër, duke përdorur mjete kimike, përkatësisht gaz lotsjellës. Pas kësaj, turma u shpërnda në grupe më të vogla në drejtime të ndryshme, duke u drejtuar kah rruga “Sevastopollska”, Bulevardi “Jugosllavia”, rruga “Cvetan Dimov” dhe disa rrugica më të vogla në drejtim të lagjes Gazi Babë.

Sadik Ismaili

Ky në fakt, ishte një skenar i përgatitur paraprakisht nga ana e policisë. Dëshmitarët okularë theksojnë se në atë ditë policia kishte liruar një numër të konsiderueshëm të të burgosurve, të dënuar për vepra kriminale. Raif Dardhishta, i cili ishte njëri ndër shumë të plagosurit gjatë ngjarjeve të Bit Pazarit, rrëfen për një person anonim që për një çast u largua nga turma në rrugën “Sevastopollska”, pranë ish-çajtores “Oda”. Ai shkoi prapa një kamioni të parkuar te parku në afërsi të urës së Bit Pazarit, ku shtyu me revolen dhe më pas iu bashkua policisë të vendosur mbi urë. Disa minuta më vonë, policia nisi të qëllojë fillimisht me gaz lotsjellës, e më pas edhe me armë zjarri në drejtim të turmës.

Safet Sejfullai

Sipas Dardhishtës, gjuajtjet me armë zjarri u bënë nga hyrja e xhamisë së “Hallaxhes” dhe nga stacioni i policisë së Bit Pazarit. Po kështu, flet edhe i plagosuri tjetër, Ibrahim Ibrahimi, i cili gjithashtu në atë kohë ka qenë me demonstruesit në rrugën “Sevastopollska”, në afërsi të çajtores “Oda”: “Kah ora 19,00, unë, Safet Sejfullai, Azem Rahmeti etj., ishim grumbulluar para çajtores Oda. Te parku i urës së Bit Pazarit, qëndronte i parkuar një kamion. Aty pamë, se si një person anonim, shkoi pas kamionit dhe gjuajti me armë zjarri në ajër, për ta provokuar policinë”. Edhe më interesant është rrëfimi i arsimtarit në pension, Naser Ibrahimaj, i cili gjatë gjithë kohës së dhunës dhe terrorit policor maqedonas qëndroi i vendosur pranë shtëpisë së Adem Hysenit. “Para shtëpisë së Adem Hysenit,” rrëfen Ibrahimaj, “në rreshtin e parë ishim: unë, në krahun e majtë kisha një person që nuk e njihja, në krahun e djathtë ishin Rufadie Bytyqi dhe i ndjeri Safet Sejfullai.

Shemsedin Ibrahimi – Dini

Për një moment na u afrua një njeri nga lagjja Serava, të cilin nuk e njihnim. Në dorë mbante një revole dhe na pyeti: ‘A të gjuaj?’ I thamë: ‘Mos, se ato (policia) janë me autoblinda, ndërsa t’i me revole.’ Mirëpo, ai u largua nga ne dhe filloi të gjuajë në drejtim të policisë, e cila ishte e vendosur mbi urën e Bit Pazarit…”.

Në të njëjtën frymë është edhe fjalimi i Eshref Aliut, mbajtur në vazhdimin e dhjetë të seancës së 56 të Kuvendit. Duke u mbështetur në disa të dhëna të pakonfirmuara, ai deklaroi se “skenari ishte i importuar”, ndërsa regjisorët dhe aktorët ishin të brendshëm. “Tashmë është fshehtësi publike,” tha Eshref Aliu, “që në mesin e turmës, për shkak të asaj që them se skenari është i importuar, janë futur edhe persona që kanë vepruar në mënyrë destruktive dhe me qëllim për ta nxitur masën për veprime më drastike e të padëshiruara, pra për ta kundërshtuar policinë. Deri më tani janë identifikuar dy persona: një shqiptar dhe një person nga një përkatësi tjetër etnike. Ai i përkatësi tjetër ka qëlluar në ajër, duke frikësuar policinë apo së paku duke shkaktuar frikë te ata. Më pas, ai është fshehur nën urë dhe dihet se kush është, si dhe me çfarë është marrë dhe merret…”.

Sulejman Memishi

Edhe deputeti tjetër shqiptar nga Shkupi, Naif Mustafa, në fjalimin e tij gjatë po asaj seance, ndër të tjera, theksoi se pas orës 18:00 në Bit Pazar nuk kishte më njerëz të tubuar, çka dihej edhe nga policia. Duke u nisur nga ky fakt, ai me të drejtë parashtroi pyetjen: “Çfarë kërkonte policia nëpër lagjet e qytetit jashtë vendit të ngjarjes? Përse gjuanin me bomba tymuese nëpër shtëpi dhe oborre, nëse qëllimi ishte thjesht t’i largonin demonstruesit nga rrugët?…”.

Vëllezërit Bafti dhe Axhbi Limani

Ndër oratorët më të spikatur në këtë seancë ishte nënkryetari i Kuvendit, Xheladin Murati. Ai akuzoi udhëheqjen maqedonase në përgjithësi dhe policinë e saj në veçanti për shpifjet dhe etiketimet e shumta ndaj shqiptarëve, si “kontrabandistë”, “bartës të ekonomisë gri”, “provokatorë”, “bursistë të zi”, “të papaguar taksash”, “të shmangur nga dogana”, “tregtarë të gjithçkaje që munden”. Sipas një fjalë popullore, tha Murati, “fëmijët i fillojnë këto, ndërsa të moshuarit i hanë”. Në vazhdim, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Qeverisë dhe deputetëve maqedonas, ai u shpreh: “A thua nuk është e vërtetë që nëpër rrugë çdo ditë vërshon ekonomia gri, dhe që policia e konsideron të arsyeshme të përdorë një të mitur për të nxitur destabilizim në Republikë dhe për të cenuar marrëdhëniet ndëretnike? A ishte kjo dhuratë e Konferencës së Paqes që u mbajt në Ohër, apo qëllim që e kanë hartuar të tjerët? Nëse do ta emërtonim këtë, do të thoshim ‘pa shkas, por me titull’. A dëshirojmë konflikt ndëretnik? Në kuadër të cilit skenar apo udhëzim është kryer kjo? I jashtëm apo i brendshëm? I njëjtë. E rëndësishme është që dikush nuk dëshiron stabilitet dhe marrëdhënie të mira ndëretnike. Gjithë kjo është cilësi e njëmendësisë të së kaluarës, e cila, pas një kohe inercie, shndërrohet në inventar të demokracisë…”.

Vëllezërit Isa dhe Shaip Selmani

Përveç provokatorëve që ishin futur brenda demonstruesve shqiptarë, pati edhe gjuajtje nga qytetarë maqedonas, nga banesat dhe ndërtesat e afërta, që dyshohej se një pjesë e tyre ishin oficerë të ish Armatës jugosllave. Këtë, pa dashje, e pranoi edhe vetë ministri Fërçkovski, i cili në fjalimin e mbajtur në mbledhjen e 14 të jashtëzakonshme të Qeverisë, tha se, sipas të gjitha gjasave, “pati të shtëna edhe nga ndërtesat e oficerëve”, të cilët siç u shpreh ai “e kanë shfrytëzuar momentin për t’i kënaqur nevojat e tyre patologjike”.

Për këtë të dhënë, që u bë publik nga ministri i Brendshëm, interes të veçantë shprehu ministri i Mbrojtjes, Vllado Popovski, i cili në fjalimin e tij tha shprehimisht: “…Do të isha veçanërisht i interesuar, dhe po ashtu e domosdoshme, që me të gjitha metodat e ekspertizës të provohet nëse është gjuajtur nga ndërtesat, veçanërisht ato të oficerëve. Kjo sepse aty mund të ketë vetëm dy motive të mundshme: patologji sociale dhe paralogji politike. Paralogjia politike në kuptimin që konflikti të nxisë një zëvendësim krejtësisht të ndryshëm të tij, duke u shndërruar në një përplasje mes institucioneve apo grupeve etnike, dhe patologjia sociale që mund të fshehët pas uniformës ose interesave të tjera. Pavarësisht nëse kjo do të publikohet apo jo në media, kjo është shprehur këtu dhe na ngarkon neve me përgjegjësi dhe vetëdije. Ky element duhet ndjekur me kujdes të veçantë gjatë hetimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nëse ka rezultate, atëherë duhet trajtuar me rigorozitet. Sepse balanca e marrëdhënieve ndikohet kur organet veprojnë si institucione të shtetit juridik – pa ndjenja, por sipas peshores së ligjit…”.

(vijon nesër)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter