Zbulim që mund të ndryshojë jetën e mijëra grave? Ilaçi i kancerit rikthen fertilitetin?

featured
Press Online
05 Korrik 2026, 19:57

Një ilaç i përdorur prej gati tre dekadash në luftën kundër kancerit mund të hapë një kapitull krejtësisht të ri në trajtimin e infertilitetit femëror.

Rezultatet e një studimi pilot kanë habitur komunitetin shkencor, pasi pas trajtimit me rituksimab, disa gra me insuficiencë të parakohshme ovariane rifituan funksionin e vezoreve dhe tri prej tyre sollën në jetë foshnja të shëndetshme.

Zbulimi po shihet si një shpresë e re për gratë që deri më sot kishin shumë pak mundësi për të mbetur shtatzëna me qelizat e tyre vezë.

Rituksimabi u miratua fillimisht në vitin 1997 për trajtimin e disa llojeve të kancerit të gjakut, ndërsa më vonë u përdor edhe kundër sëmundjeve autoimune. Tani, shkencëtarët po hetojnë nëse ai mund të ndalojë procesin autoimun që dëmton vezoret dhe të rikthejë fertilitetin.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore NEJM Evidence, përfshiu 10 gra nën moshën 40-vjeçare me insuficiencë të parakohshme ovariane me origjinë autoimune – një gjendje ku sistemi imunitar sulmon gabimisht folikulat e vezoreve, duke penguar pjekjen e qelizave vezë.

Para trajtimit, të gjitha pjesëmarrëset iu nënshtruan stimulimit hormonal, por asnjëra nuk reagoi. Situata ndryshoi disa muaj pas përdorimit të rituksimabit.

Te gjashtë nga dhjetë gratë u zhvilluan sërish folikula funksionale dhe mjekët arritën të merrnin me sukses qeliza vezë të pjekura.

Sipas drejtueses së studimit, dr. Angelica Lindén Hirschberg nga Instituti Karolinska në Suedi, rezultatet sugjerojnë se te disa paciente rezerva e qelizave vezë nuk është zhdukur plotësisht, por thjesht është bllokuar nga procesi autoimun.

Nëse ndalet sulmi i sistemit imunitar, vezoret mund të rifillojnë funksionin

-shpjegon ajo.

Pesë prej grave prodhuan qeliza vezë me cilësi të mjaftueshme për t’u ngrirë ose fekonduar. Më pas, tri prej tyre iu nënshtruan transferimit të embrioneve dhe të tria sollën në jetë foshnja të shëndetshme.

Për arsye sigurie, embrionet u transferuan vetëm pas të paktën një viti nga përfundimi i trajtimit.

Studiuesit raportuan vetëm një efekt serioz anësor gjatë studimit, por ai lidhej me stimulimin hormonal dhe jo me vetë rituksimabin.

Megjithatë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes. Edhe pse rezultatet konsiderohen jashtëzakonisht premtuese, studimi është kryer vetëm te 10 paciente dhe nuk mjafton për të ndryshuar praktikën mjekësore.

Për këtë arsye tashmë ka nisur një studim klinik më i madh, i cili do të vlerësojë nëse kjo terapi mund të bëhet një trajtim i ri për gratë që përballen me infertilitet për shkak të insuficiencës së parakohshme ovariane.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter