Policia e Kosovës ka arrestuar disa serbë gjatë përfundimit të manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan.
Me këngë e lutje fetare ka përfunduar festa e serbëve në Gazimistan. Qindra serbë nga Kosova u mblodhën në shënimin e festës së ashtuquajtur “Vidovdan”.
Si shkak i mbledhjes së serbëve në Gazimestan, i cili ndodhet afër Obiliqit, u krijuan kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, raporton KP.
Paraprakisht, Policia e Kosovës ka publikuar udhëzime për pjesëmarrësit, duke theksuar se nuk lejohet përdorimi i flamujve, banerëve apo simboleve që nxisin urrejtje ose përmbajnë mesazhe provokuese.
Njësitet policore janë vendosur në pika kyçe për të kontrolluar pjesëmarrësit gjatë gjithë zhvillimit të aktivitetit.
Ky ritual mbahet çdo vit dhe mbledh qindra qytetarë, ndërsa në disa raste Policia e Kosovës ka ndërhyrë pasi janë hasur flamuj, bluza apo simbole me përmbajtje provokuese apo nxitëse në kontekst të sigurisë.







