VLEN: 24 vite pushtet nuk u mjaftuan për kanalizimin në Zajaz, a përfunduan milionat evropiane në rrjetin e interesave familjare?

featured
Press Online
26 Qershor 2026, 13:02

VLEN ka akuzuar BDI-në dhe Ali Ahmetin se për 24 vite pushtet nuk arritën të ndërtojnë kanalizim funksional për banorët e Zajazit dhe Kërçovës, ndërsa projekti i financuar me fonde evropiane, sipas tyre, ka përfunduar me kanale të hapura, dëme milionëshe dhe dyshime serioze për korrupsion.

Në një konferencë për media, Faton Fazliu nga VLEN tha se rasti me projektin për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Kërçovë duhet të hetohet deri në fund, sidomos pas informacioneve për kallëzim penal nga Policia Financiare, dëme prej mbi 127 milionë denarësh dhe humbjen e rreth 9,47 milionë eurove nga fondet IPA, përcjell PressOnline.al.

VLEN kërkon nga Prokuroria Publike dhe Policia Financiare që hetimi të zgjerohet, të bëhen publikë të gjithë nënkontraktorët e angazhuar dhe të sqarohet nëse në këtë projekt kanë qenë të përfshira kompani të lidhura politikisht, biznesorisht apo familjarisht me struktura të BDI-së.

Komunikata e plotë e VLEN-it:

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Njëzet e katër vite BDI-ja nuk ndërtoi kanalizim për banorët e Zajazit. Tani e dimë edhe pse, pra për shkak të korrupsionit.

Për 24 vite, BDI-ja dhe Ali Ahmeti kishin pushtet politik, ministra, drejtorë, kryetarë komunash dhe kontroll të plotë mbi institucionet që duhej t’i zgjidhnin problemet themelore të qytetarëve.

Por, 24 vite nuk u mjaftuan për të ndërtuar një rrjet funksional kanalizimi për banorët e Zajazit dhe Kërçovës. Nuk arritën ta zgjidhnin problemin as në vendlindjen e tyre.

Sot, në vend të kanalizimit, qytetarët kanë një projekt të papërfunduar, kanale të hapura, gropa septike dhe një rrezik serioz për mjedisin jetësor.

Ndërkohë, shteti dhe qytetarët kanë pësuar dëme milionëshe dhe kanë humbur fonde evropiane.

Sipas informacioneve të publikuara, Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal për shkak të dyshimeve për keqpërdorime gjatë realizimit të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Kërçovë.

Bëhet fjalë për më shumë se 127 milionë denarë dëm të drejtpërdrejtë ndaj Buxhetit dhe rreth 9,47 milionë euro fonde të humbura nga programi IPA, të cilat tani do të duhet të kompensohen me paratë e qytetarëve.

Projekti nuk dështoi sepse mungonin paratë. Paratë ekzistonin. Bashkimi Evropian kishte siguruar miliona euro.

Projekti dështoi në periudhën kur BDI-ja drejtonte institucionet, për shkak të një garancie bankare të dyshimtë, një banke që përfundoi në falimentim, nënkontraktorëve të paautorizuar të përzgjedhur mbi baza partiake dhe mungesës së kontrollit të vërtetë institucional.

Tani bëhet e qartë pse kanalizimi në Zajaz nuk u përfundua për vite me radhë: për shkak të korrupsionit.

Jo për mungesë fondesh, por sepse një projekt bazik infrastrukturor u përfshi në një rrjet marrëdhëniesh të dyshimta biznesi, angazhimesh të paautorizuara dhe ndikimesh të mundshme korruptive.

Për më tepër, mediat publikuan se në pjesë të projektit kanë marrë pjesë edhe kompani të Drin Ahmetit, nipit të Ali Ahmetit, të cilat më vonë kanë pasur edhe konteste juridike me kompaninë azerbajxhanase “Akelik Group”, realizuese e projektit.

Kjo hap pyetje serioze, të cilave opinioni duhet t’u marrë përgjigje.

Cilat kompani të lidhura me Drin Ahmetin kanë qenë të angazhuara në këtë projekt?

Për cilat punë konkrete janë angazhuar dhe sa ka qenë vlera e kontratave të tyre?

A kanë qenë këto kompani ndër nënkontraktorët e angazhuar pa miratim paraprak nga institucionet kompetente?

Kush nga Ministria e Financave, organi mbikëqyrës dhe institucionet e tjera ka qenë në dijeni për pjesëmarrjen e tyre?

Sa para u janë paguar dhe për cilat punë të realizuara?

Si u përfshinë kompani të lidhura me familjen Ahmeti në një projekt të financuar me para evropiane dhe shtetërore?

A ka ndikuar ndonjë funksionar i BDI-së në përzgjedhjen e kompanive, miratimin e punimeve ose mbikëqyrjen institucionale?

Kush lejoi që projekti të vazhdonte pa garanci bankare të vlefshme dhe me nënkontraktorë të paautorizuar?

Dhe në fund: ku përfunduan milionat, ndërsa banorët e Zajazit ende nuk kanë kanalizim?

BDI-ja dhe Ali Ahmeti kishin më shumë se sa duhet kohë, pushtet dhe para për ta zgjidhur këtë problem. Në vend të një zgjidhjeje për qytetarët, pas vetes lanë një projekt të papërfunduar, fonde evropiane të humbura, dëme milionëshe dhe dyshime serioze për përfshirjen e kompanive nga rrethi i tyre familjar.

Banorëve të Zajazit nuk u duhen më arsyetime të reja. Atyre u duhet kanalizim.

Ndërsa opinionit i duhet e vërteta për çdo denar të shpenzuar dhe për çdo kompani që ka përfituar ose është dashur të përfitojë nga ky projekt.

VLEN kërkon që Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë plotësisht hetimin, t’i bëjnë publikë të gjithë nënkontraktorët e angazhuar dhe të përcaktojnë nëse ekziston lidhje politike, biznesore apo familjare ndërmjet personave përgjegjës dhe strukturave të BDI-së.

Njëzet e katër vite pushtet politik nuk u mjaftuan për të ndërtuar kanalizim.

Por, me sa duket, mjaftuan për të krijuar rreth një projekti publik një rrjet dyshimesh, borxhesh, padish dhe miliona eurosh të humbura nga fondet evropiane.

Zajazi meriton kanalizim. Qytetarët meritojnë përgjigje. Dhe përgjegjësit duhet të japin llogari.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter